Vrasja e biznesmenit në Elbasan, autori ishte nën masën ‘arrest shtëpie’
Marselo Arani, i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond “Mondi” Mëhalla (Hyka) në Elbasan, është një emër i njohur për drejtësinë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë vendit. 32-vjeçari, i cili ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” për pastrim parash, ka një histori të gjatë kriminale, duke përfshirë edhe vendime dënimi në Itali për shfrytëzim prostitucioni.
Sipas njoftimeve zyrtare të policisë, dy persona janë shpallur në kërkim si autorë të ekzekutimit të Mëhallës: Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, dhe Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç. Ata akuzohen për “vrasje me paramendim” në bashkëpunim, si dhe për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municionit” dhe “largim nga vendi i qëndrimit i të burgosurit”.
Përveç autorëve në kërkim, dy persona të tjerë janë arrestuar si të dyshuar bashkëpunëtorë: Xhino Ago, 32 vjeç, për dhënien e automjetit të përdorur në krim, dhe Kujtim Pisha, 52 vjeç, roja i karburantit “Xhaxhi Oil”, ku ndodhi ngjarja.
Hetimet e mëparshme kanë treguar se Marselo Arani është një person me aktivitet kriminal në Itali, ku ka qenë i dënuar me vendim të formës së prerë për shfrytëzim prostitucioni dhe veprimtari të tjera të paligjshme. Në kuadër të hetimeve në Shqipëri, autoritetet i kanë sekuestruar 14 pasuri, përfshirë:
-
Një apartament në Durrës;
-
11 automjete të ndryshme luksoze (Mercedes, Audi SQ7, Maserati, BMW, Suzuki, Fiat, Volkswagen, Jeep);
-
Një motoçikletë BMW;
-
Një biznes për tregti dhe qiradhënie makinash në Elbasan.
Masa e arrestit shtëpiak, sipas nenit 237 të Kodit Penal, urdhëron të pandehurin të qëndrojë në banesë ose vend të caktuar, sipas kushteve të përcaktuara nga gjykata. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar Aranin të dyshohet për përfshirje në ngjarjen e rëndë që tronditi Elbasanin dhe opinionin publik.
Hetimet vazhdojnë me fokus në zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe gjetjen e të gjithë autorëve të përfshirë në këtë vrasje, ndërsa dy personat e arrestuar tashmë ofrojnë informacion për bashkëpunimin në krim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



