Avokatja Enida Bozheku tallet keq me Nenin e ri që ndalon seksin jashtë vendit
Avokatja Enida Bozheku ka reaguar me tone ironike dhe kritike ndaj projekt-ndryshimeve të fundit në Kodin Penal të Shqipërisë, duke u ndalur veçanërisht te shtimi i nenit të ri 108/b, i parashikuar në nenin 11 të draftit, i cili lidhet me organizimin e udhëtimeve për qëllime seksuale jashtë vendit.
Sipas përmbajtjes së këtij neni, organizimi i udhëtimeve për persona të ndryshëm, me ose pa shpërblim, me qëllim kryerjen e veprave penale të parashikuara nga legjislacioni penal, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet. Në rastet kur kjo veprimtari kryhet nga persona juridikë, parashikohet edhe masa e mbylljes së tyre.
Bozheku thekson se formulimi i nenit është i paqartë dhe problematik, duke lënë hapësirë për interpretime të gjera dhe konfuzion mes veprimtarive kriminale dhe udhëtimeve private të individëve apo grupeve shoqërore. Sipas saj, edhe pse qëllimi i ligjit duket se është parandalimi i veprave të rënda si shfrytëzimi seksual i të miturve, dhuna seksuale apo përfshirja në rrjete prostitucioni, mënyra se si është ndërtuar dispozita rrezikon të sjellë pasoja serioze në zbatim.
Avokatja ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si do të provohet qëllimi kriminal i një udhëtimi, sidomos në raste kur qytetarët udhëtojnë në vende ku disa forma të aktivitetit seksual janë të ligjshme. Ajo shpreh shqetësim se mungesa e kritereve të qarta të provës dhe kontrollit mund të çojë në cenim të lirive personale dhe në keqinterpretim arbitrar të ligjit.
Në reagimin e saj publik, Bozheku përdor edhe një gjuhë ironike për të vënë në dukje absurditetin që, sipas saj, krijon neni i ri, duke e cilësuar atë si një dispozitë që hap rrugë për abuzime dhe zbatim selektiv, në mungesë të një formulimi të qartë juridik.
Reagimi i plotë:
Sipas këtij neni “anti-seks” të shtuar në Kodin Penal, që të dënon nga dy deri në gjashtë vjet burg, grupi shoqëror që mblidhet për qejf dhe shkon në Tajlandë, po bëri “lluk-lluk” andej, kur kthehet në atdhe e tredhin.
Sipas këtij neni, nuk di çfarë lloj oligofreni e ka formuluar, kur mblidhesh grup shoqnie dhe shkon kund, mbase edhe për seks, qëllimi kriminal i këtij grupi është që të bëjë rrobashqepsin me të mitur, të rritur me dhunë apo duke shfrytëzuar prostitucionin, ku në Holandë, p.sh., është i legalizuar.
Po vetë a kanë qenë ndopak jashtë kufijve kur organizohen këta të rilindurit, apo e ngjyjnë biskotën vetëm nëpër grupe brenda kufijve?! Provën si e ndërtojnë, apo i vënë gjinekolog e androlog në doganë, kujt hyn e del që ka lëvizur në grup?! Apo breçka hekuri për të gjithë? Po çelësin kush do ta mbajë?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



