Europol: 7.6 ton kokainë të kapura dhe miliona dollarë të bllokuara
Autoritetet e Ekuador, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara dhe Europol, kanë finalizuar një operacion të gjerë ndërkombëtar që çoi në shkatërrimin e një rrjeti të strukturuar të trafikut të drogës me shtrirje nga Amerika Latine drejt Evropës. Në qendër të hetimeve ishte Hernán Ruilova Barzola, i identifikuar si figura kyçe që lidhte kartelin ekuadorian “Los Lobos” me grupe kriminale shqiptare aktive në tregun evropian.

Sipas të dhënave zyrtare, operacioni përfundoi me arrestimin e 16 personave, realizimin e 26 kontrolleve në disa provinca dhe sekuestrimin e 7.64 tonëve lëndë narkotike. Vlera e drogës së kapur në tregun evropian llogaritet të arrijë në rreth 346 milionë dollarë.

Hetimi njëvjeçar dhe bashkëpunimi ndërkombëtar
Procedura hetimore nisi në tetor 2024, pas një ndërhyrjeje në zonën Barbones, në provincën El Oro, ku u kapën rreth 500 kilogramë drogë dhe u vunë në pranga tre persona. Ky aksion shërbeu si pikënisje për një hetim më të thelluar që zgjati mbi një vit dhe përfshiu struktura ligjzbatuese nga disa vende evropiane, si Holanda dhe Belgjika, si edhe agjentë të DEA-s amerikane.

Ministri i Brendshëm i Ekuadorit, John Reimberg, deklaroi se organizata përdorte metoda të sofistikuara për të kontaminuar ngarkesat që niseshin nga portet ekuadoriane drejt destinacioneve të ndryshme në Evropë. Sipas tij, operacioni u zhvillua në disa faza të koordinuara, duke goditur njëkohësisht strukturën logjistike dhe financiare të rrjetit.

Aksione paralele në Evropë
Në territorin evropian u zhvilluan operacione të njëkohshme që çuan në sekuestrime të konsiderueshme. Në Holandë, gjatë operacionit të koduar “Victoria”, autoritetet kapën 2.5 ton drogë dhe arrestuan pesë persona, ndërsa në fazën pasuese “Victoria II” u sekuestruan edhe 1.2 ton të tjera.

Në një ndërhyrje tjetër u konfiskuan 3.2 ton drogë dhe u arrestuan tre shtetas shqiptarë, të cilët konsideroheshin objektiva prioritare të hetimeve të zhvilluara paralelisht edhe në Spanjë.
Në total, sasia e drogës së bllokuar në Evropë përputhet me 7.64 tonët e raportuar nga autoritetet ndërkombëtare.

Pasuritë e sekuestruara dhe arrestimet në Ekuador
Gjatë kontrolleve në Ekuador, policia konfiskoi 14 automjete luksoze, 20 telefona celularë, armë zjarri, bizhuteri me vlerë dhe mbi 800 mijë dollarë në para cash, të gjetura në ambiente të lidhura me aktivitetin e rrjetit.

Mes të arrestuarve është edhe Hernán Ruilova, i ndaluar në qytetin Machala, i cili sipas hetuesve luante rol kyç në organizimin e dërgesave të paligjshme drejt Evropës. Në pranga përfundoi gjithashtu ish-deputeti Salomón Padua, i dyshuar për përfshirje në krim të organizuar dhe trafik ndërkombëtar droge.

Paralajmërim për operacione të reja
Ministri Reimberg bëri të ditur se në qendrën operative të ngritur për këtë aksion morën pjesë përfaqësues të Europol-it, Policisë së Antverpenit, njësisë kombëtare të hetimeve të Holandës dhe DEA-s. Ai paralajmëroi se gjatë periudhës 15–30 mars do të zhvillohen operacione të tjera në katër provinca të vendit, në kuadër të masave të jashtëzakonshme të sigurisë të shpallura nga autoritetet.

Sipas tij, bashkëpunimi me SHBA-të përfshin shkëmbim informacioni në kohë reale, goditje të trafikut të armëve dhe ndërhyrje të drejtpërdrejta ndaj dërgesave të paligjshme. Ai theksoi gjithashtu se statistikat e muajit shkurt tregojnë një rënie me rreth 10% të vrasjeve të dhunshme, si rezultat i strategjisë së re kundër strukturave kriminale./Europol








