Aksion ‘fenomenal’, bllokohen 1500 palë atlete në Kakavijë

Facebook
X
WhatsApp
Telegram

Në një tjetër operacion që vështirë të mos quhet “historik”, strukturat doganore në Kakavijë kanë arritur të ndalin me vendosmëri një kërcënim të madh: plot 1500 palë atlete të dyshuara për cenim të markës New Balance.

Ngarkesa u zbulua gjatë një kontrolli rutinë, ku për ironi të fatit gjithçka tjetër në mjet rezultoi sipas rregullave. Por jo atletet… ato nuk ia dolën të “kalonin testin”, duke u kthyer menjëherë në objekt hetimi të thelluar.

Mjeti është dërguar në parkimin doganor, ku tashmë ruhet me një vigjilencë që do ta kishte zili çdo operacion kundër krimit të organizuar. Ndërkohë, verifikimet vazhdojnë me përpikmëri, për të zbuluar nëse pas këtyre atleteve fshihet ndonjë “rrjet i strukturuar” lidhësesh dhe tabanesh të dyshimta.

Ky aksion vjen si një tjetër dëshmi e “goditjeve të forta” ndaj fenomeneve që tronditin rendin ekonomik, duke i dhënë një mesazh të qartë kujtdo që tenton të sfidojë ligjin… qoftë edhe me një palë atlete më shumë seç duhet.

Ndërkohë, publiku mund të marrë frymë i lehtësuar: kufijtë janë në duar të sigurta dhe tregu është shpëtuar nga një tjetër “rrezik madhor”.

Publikuar nga Publik Media