
Padi në SHBA ndaj Ron Yeffet, në dosje përmenden takime me Ramën dhe udhëtime luksoze në Shqipëri
Një padi civile e depozituar më 6 mars 2026 në Gjykatën e Floridas, në qarkun Miami-Dade, hedh hije të forta dyshimi mbi figurën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet, i cili në Shqipëri rezulton i përfshirë drejtpërdrejt në industrinë shtetërore të mbrojtjes përmes kompanisë KAYO dhe një rrjeti shoqërish të lidhura me armët, energjinë dhe teknologjinë. Sipas dokumenteve të siguruara fillimisht nga “Pamfleti”, Yeffet akuzohet nga investitori amerikan Mark Faist se e ka mashtruar duke i marrë mbi 8.6 milionë dollarë përmes një skeme të ndërtuar mbi besim personal, luks të ekzagjeruar dhe demonstrime ndikimi politik ndërkombëtar.
Padia përshkruan një skemë që nis në vitin 2018, kur Faist, ish-tregtar energjie në pension, vendosur në Miami, krijon marrëdhënie me Yeffet. Sipas pretendimeve në gjykatë, Yeffet ndërtoi me kujdes një profil të rremë fuqie financiare dhe aksesi global: e përfshiu investitorin në jetën e tij personale, e prezantoi me familjen, i tregoi histori mbi filantropinë dhe ndikimin e tij ndërkombëtar, ndërsa paralelisht projektonte luks përmes avionëve privatë, automjeteve të shtrenjta dhe udhëtimeve ekskluzive.
Në qendër të padisë del edhe Shqipëria. Një episod kyç i përmendur në dokument është udhëtimi në Paris në vitin 2020, kur Faist dhe bashkëshortja e tij, sipas padisë, udhëtuan me avion privat të Yeffet dhe aty u prezantuan me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si edhe me ambasadorin shqiptar në Francë dhe Monako. Sipas padisë, këto takime ishin pjesë e një skenografie të kuruar për të forcuar perceptimin se Yeffet ishte një njeri me akses në nivelet më të larta shtetërore.
Shqipëria përmendet sërish në disa udhëtime të tjera luksoze të organizuara nga Yeffet, të cilat sipas padisë shërbenin për të mbajtur investitorin të impresionuar dhe të lidhur emocionalisht me projektet financiare. Në një rast tjetër të përshkruar në dokument, gjatë një vizite në Shqipëri, Yeffet dhe Faist lëviznin me autokolonë të shoqëruar nga personel sigurie i armatosur dhe qëndronin në një rezidencë private me kuzhinierë dhe ruajtje të vazhdueshme.
Një element veçanërisht sensitiv në dosje është pretendimi se gjatë një prej këtyre vizitave, Yeffet i ka propozuar Faist-it mundësinë e sigurimit të një pasaporte shqiptare, si pjesë e një trajtimi ekskluziv që do të forconte besimin dhe do të zbutte dyshimet e tij mbi mungesën e kthimeve financiare.
Sipas padisë, mbi bazën e këtij rrjeti ndikimi dhe besueshmërie të fabrikuar, Faist transferoi mbi 8.6 milionë dollarë në llogaritë e kompanisë “R&I Trading”, për investime të pretenduara në pasuri të paluajtshme në Nju Jork. Dokumenti thotë se investimet nuk prodhuan asnjë kthim real. Në vitin 2025, pas kërkesave të përsëritura për kthim fondesh, u kthye vetëm 1 milion dollarë, ndërsa pjesa tjetër mbeti e papaguar. Në shtator 2025 u nënshkrua një marrëveshje ku të paditurit pranonin detyrimin për kthimin e 7.61 milionë dollarëve plus interesa, por edhe kjo marrëveshje, sipas padisë, nuk u respektua.
Çështja merr rëndësi të veçantë për Shqipërinë për shkak të rolit të Yeffet në sektorë strategjikë. Emri i tij lidhet me kompani si TIMAK, TIMAK Defence, UNO18, Advanced Arms Technology, 1820 Albania dhe 1820 Black Oil. Në Shqipëri ai është ortak në TIMAK dhe bashkëaksioner në TIMAK Defence, kompani e krijuar me pjesëmarrjen e KAYO, ndërmarrja shtetërore e armëve e themeluar nga qeveria shqiptare në vitin 2024.
TIMAK Defence ka përfituar miliona euro fonde publike, ndërsa vetë Yeffet konsiderohet figurë kyçe në marrëveshjet që lidhen me prodhimin ushtarak dhe investimet në industrinë e mbrojtjes. Kjo do të thotë se një person nën akuza serioze për mashtrim financiar në SHBA ka pasur akses në një nga sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë dhe sigurisë kombëtare shqiptare.
Deri tani nuk ka asnjë reagim publik nga qeveria shqiptare, nga KAYO apo nga vetë Ron Yeffet mbi përmbajtjen e padisë në SHBA. Heshtja institucionale shton pikëpyetjet mbi mënyrën se si është verifikuar integriteti i partnerëve strategjikë që marrin rol në industrinë shtetërore të armëve.







