Policia e Tiranës ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me zjarrin që përfshiu një kompleks banimi pranë QSUT, duke konfirmuar arrestimin e katër personave dhe nisjen e hetimit penal për disa të tjerë, përfshirë edhe pronarin e pallatit.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri ka nisur në ambientin e pasmë të një marketi në katin e parë të kompleksit, ku ishin grumbulluar mbeturina. Në këtë hapësirë, menaxherja e subjektit nuk kishte marrë masa për pastrimin dhe eliminimin e rrezikut, çka dyshohet se ka çuar në përhapjen e flakëve.
Në pranga janë vënë katër shtetas:
- Administratori i kompleksit, për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”;
- Menaxherja e marketit, për “Shkatërrim të pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”;
- Inxhinieri drejtues i punimeve të ndërtimit;
- Administratori i subjektit që ka realizuar punimet e fasadës.
Ndërkohë, hetimi penal është shtrirë edhe ndaj dy punonjëseve të marketit për “Shkatërrim të pronës nga pakujdesia”, si dhe ndaj pronarit të kompleksit dhe ndërtuesit të kontraktuar.
Nga verifikimet e para rezulton se administratori i pallatit nuk kishte kryer kontrollet e nevojshme për funksionimin e masave mbrojtëse kundër zjarrit dhe evakuimit, duke ndikuar në përhapjen e flakëve.
Si pasojë e zjarrit, janë lënduar 11 persona, mes tyre efektivë të shërbimit zjarrfikës dhe banorë të pallatit. Të gjithë ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtim mjekësor.
Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar dëmin material të shkaktuar, ndërsa në bashkëpunim me Prokurorinë po dokumentohet përgjegjësia penale për secilin nga personat e përfshirë në këtë ngjarje.
Njoftimi i plotë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për përcaktimin e shkaqeve të rënies dhe të përhapjes së zjarrit, dje, në një kompleks banimi te Rruga e Dibrës, arrestuan shtetasit:
-A. C., 54 vjeç, administratori i kompleksit të pallateve, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-R. S., 54 vjeçe, menaxherja e marketit në katin e parë të kompleksit, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-E. A., 66 vjeç, inxhinier drejtues i punimeve për ndërtimin e këtij kompleksi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”;
-A. F., 46 vjeç, administratori i subjektit që ka bërë punimet për fasadën e kompleksit, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, nisi hetimi penal për shtetaset S. A. dhe E. M., punonjëse në market, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, si dhe për shtetasit A. L., 48 vjeç, pronari i kompleksit të pallateve, dhe Sh. B., 41 vjeç, i kontraktuari për ndërtimin e kompleksit.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se në ambientin e pasmë të marketit që menaxhonte shtetasja R. S., në rrethana të paqarta ka rënë zjarr në një vend ku ishin grumbulluar mbeturina, ku kjo shtetase nuk kishte marrë masa për heqjen e tyre.
Gjithashtu, shtetasi A. C., administrator i kompleksit të banimit, dyshohet se nuk ka kryer veprimet e nevojshme për kontrollin e funksionalitetit të masave mbrojtëse për zjarrin dhe shpëtimin.
Nga flakët u dëmtuan 11 shtetas (punonjës të DPMZSh-së dhe banore të pallatit), të cilët vijojnë të marrin mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi i posaçëm hetimor po vijon punën në vendngjarje, për të përcaktuar dëmin material total të shkaktuar nga zjarri.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të përgjegjësisë penale të secilit prej shtetasve përgjegjës për këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.







