Të tretat brenda një viti e gjysmë, Kosova shkon sërish në zgjedhje
Kuvendi dështoi në zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit
Kriza politike në Kosovë është thelluar, pasi Kuvendi ka dështuar të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke çuar automatikisht në shpërndarjen e tij dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të reja të jashtëzakonshme parlamentare.
Procesi u bllokua për shkak të mungesës së kuorumit, pasi partitë opozitare bojkotuan seancën, duke pamundësuar votimin për dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Pavarësisht disa përpjekjeve gjatë ditës, mazhoranca nuk arriti të sigurojë pjesëmarrjen minimale të deputetëve për të zhvilluar votimin.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, presidenti duhet të zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para, ndërsa në raundin e tretë mjafton shumica prej 61 votash, por gjithmonë me kuorum prej 80 deputetësh. Me skadimin e afatit 35-ditor në mesnatën e 28 prillit, Kuvendi konsiderohet i shpërndarë automatikisht, pa nevojën e një dekreti shtesë.
Kjo situatë e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare, të cilat pritet të mbahen brenda 45 ditëve, me shumë gjasë në fillim të muajit qershor. Këto do të jenë zgjedhjet e treta të jashtëzakonshme brenda një periudhe të shkurtër kohore, duke reflektuar paqëndrueshmërinë politike në vend.
Kryeministri Albin Kurti ka akuzuar opozitën për bllokim të qëllimshëm të institucioneve, duke i cilësuar veprimet e saj si “anti-institucionale” dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve. Sipas tij, bojkotimi i seancave synon pengimin e funksionimit normal të shtetit.
Në anën tjetër, partitë opozitare si Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kundërshtuar qasjen e Vetëvendosjes, duke e akuzuar atë për përpjekje për të përqendruar pushtetin në tre institucionet kryesore: qeverinë, parlamentin dhe presidencën. Përfaqësues të tyre e kanë cilësuar procesin si të njëanshëm dhe në kundërshtim me frymën kushtetuese.
Ndërkohë, në debat është përfshirë edhe emri i Vjosa Osmanit, për të cilën opozita ka shprehur mbështetje si një figurë potenciale unifikuese, ndonëse nuk është përkrahur nga shumica aktuale për një mandat të ri.
Sipas Kushtetutës, posti i presidentit duhet të jetë jopartiak dhe të përfaqësojë unitetin e spektrit politik. Aktualisht, detyrën e ushtrueses së presidentes e mban Albulena Haxhiu, e cila pritet të shpallë së shpejti datën e zgjedhjeve të reja.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



