Kruja në shënjestër, Hita ultimatum për kanabisin dhe krimin
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka zhvilluar një takim me efektivët e Komisariatit të Krujës, menjëherë pas inaugurimit të ambienteve të reja të këtij institucioni.
Kruja mbetet një nga zonat më të ndjeshme për sa i përket rendit dhe sigurisë, e njohur për ngjarje të rënda kriminale, atentate dhe aktivitet të lidhur me narkotikët. Në këtë kuadër, vizita e kreut të Policisë shihet si një sinjal i qartë për forcimin e goditjes ndaj kriminalitetit në zonë.
Gjatë takimit, Hita kërkoi rritje të profesionalizmit nga strukturat vendore, veçanërisht në mbledhjen dhe përpunimin e informacionit policor, me fokus parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
“Tani jemi në fazën fillestare të sezonit të kultivimit të kanabisit. Grupet e kontrollit duhet të jenë maksimalisht të angazhuara dhe informacioni policor duhet të jetë cilësor, në mënyrë që të godasim këtë fenomen. Objektivi ynë duhet të jetë një vit pa kultivim,” u shpreh ai.
Hita vuri theksin edhe te nevoja për identifikimin dhe goditjen e financuesve dhe trafikantëve të kanabisit, si dhe për kapjen e personave në kërkim. Ai përmendi gjithashtu një rast konkret të një individi ende në arrati, në banesën e të cilit janë gjetur armë gjatë kontrolleve të policisë.
Në vijim, drejtori i Policisë theksoi rëndësinë e luftës kundër armëmbajtjes pa leje dhe krimeve mjedisore, duke kërkuar reagim të menjëhershëm ndaj çdo shqetësimi të qytetarëve, pavarësisht nivelit të tyre.
Ai kërkoi gjithashtu rritje të performancës nga efektivët, duke nënvizuar se kushtet e reja të punës duhet të shoqërohen me standarde më të larta shërbimi ndaj qytetarëve.
Në përmbyllje të takimit, Hita u ndal edhe te Policia Rrugore, duke kërkuar zbatim rigoroz të detyrave dhe përdorim më të gjerë të teknologjisë për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



