E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Skënder Hita me ‘dorë të hekurt’, lëshon paralajmërimin e fortë
Lajme

Skënder Hita me ‘dorë të hekurt’, lëshon paralajmërimin e fortë

70 lëvizje në një muaj

Vetëm pak javë pas marrjes së detyrës, Skënder Hita ka ndërmarrë një valë të gjerë ndryshimesh në strukturën e Policisë së Shtetit, duke realizuar rreth 70 lëvizje në poste kyçe brenda një organizate që numëron mbi 12 mijë punonjës.

Tradicionalisht, ardhja e një drejtuesi të ri në krye të policisë shoqërohet me ristrukturime të thella në nivelet drejtuese. Megjithatë, këtë herë mesazhi ka qenë më i drejtpërdrejtë: performanca do të jetë kriteri kryesor i qëndrimit në detyrë. Gjatë takimeve të para në qarqe, Hita ka bërë të qartë se mungesa e rezultateve konkrete nuk do të tolerohet.

Procesi i ndryshimeve është zhvilluar në disa etapa dhe ka përfshirë kryesisht zëvendësdrejtorët në qarqet Tiranë, Fier, Lezhë, Shkodër dhe Elbasan. Paralelisht, ndërhyrje janë bërë edhe në strukturat qendrore, përfshirë sektorin e Antiterrorit dhe atë Operacional, si dhe në drejtoritë e kufirit, të cilat funksionojnë të ndara nga administrimi rajonal.

Megjithatë, hapësira e ndërhyrjes së drejtpërdrejtë nga drejtori i përgjithshëm mbetet e kufizuar në disa nivele. Drejtuesit e qarqeve janë emëruar përmes procedurave konkurruese, sipas ndryshimeve ligjore të viteve të fundit, çka e bën më të vështirë zëvendësimin e tyre pa një bazë të fortë ligjore. Në këto kushte, presioni për rezultate dhe ndëshkimi në rast dështimi mbeten instrumentet kryesore të ndikimit.

Një shembull konkret është rasti i Lezhës, ku ndërhyrja e strukturave të ardhura nga Tirana çoi në zbulimin e dy ambienteve ku zhvilloheshin lojëra fati. Ky zhvillim ndikoi drejtpërdrejt në largimin e drejtorit vendor, Islor Islami, i cili dha dorëheqjen pas ngjarjes.

Situata paraqitet e ngjashme edhe në nivelin e komisariateve. Ndërhyrjet kanë qenë të kufizuara dhe të fokusuara në raste problematike, si në Peqin, ku u zbulua një ambient i përshtatur për kultivim kanabisi, apo në Komisariatin nr. 2 në Tiranë.

Në një tjetër nivel, drejtuesit e katër departamenteve kryesore në Drejtorinë e Përgjithshme pritet të përzgjidhen përmes një procesi të ri konkurrimi. Ky mekanizëm mbetet i bllokuar që prej ndryshimeve ligjore të shtatorit 2024, ndërsa një procedurë e mëparshme u ndërpre pas padisë së ngritur nga Aida Hajnaj, e cila kërkoi rikthimin në strukturat e policisë. Sipas burimeve, procesi pritet të rihapet në muajin qershor, duke krijuar mundësi për emërime të reja në nivelet më të larta drejtuese.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.