Vrasja në Sarandë, policia zbardh detajet, identifikohet autori
Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Sarandë, ku humbi jetën 66-vjeçari Rexhep Ismaili, i cili u qëllua me armë zjarri në kokë.
Sipas burimeve nga terreni, gjithçka ka nisur nga një konflikt pronësie mes disa personave. Një grup, ku dyshohet se bënte pjesë edhe autori i dyshuar Lulëzim Tabaku, është paraqitur në ambientet e një karburanti në pronësi të vëllezërve Ismaili, për të sqaruar mosmarrëveshjen.
Debati mes palëve ka degraduar shpejt në përplasje fizike. Në kulmin e tensionit, një nga personat e pranishëm në vendngjarje ka nxjerrë një armë automatike, duke tentuar të godasë grupin tjetër. Në përgjigje, pala përballë ka hapur zjarr, çka ka çuar në vrasjen e Rexhep Ismailit.
Burime paraprake bëjnë me dije se gjatë shkëmbimit të zjarrit dyshohet të ketë mbetur i plagosur edhe një person tjetër nga pala e autorëve, i cili ende nuk është identifikuar.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30, në zonën e njohur si “Qafë Gjashtë”, brenda një lokali në pronësi të viktimës. Fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta, për t’u përshkallëzuar më pas në përdorimin e armëve të zjarrit.
Njoftimi i plotë i policisë:
Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.
Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.
Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.
Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



