E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush janë të arrestuarit që tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec
Lajme

Kush janë të arrestuarit që tërhoqën zvarrë protestuesin në Zvërnec

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë në Zvërnec, ku një protestues u tërhoq zvarrë dhe u dhunua gjatë tubimit kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura.

Policia ka arrestuar dy roje private të kompanisë “Major Security”, Artur Grami, 35 vjeç dhe Gazmend Vathi, 42 vjeç, të cilët në bashkëpunim me Gerald Bibën, dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj protestuesit. Sipas të dhënave, ata e kanë goditur fillimisht me grushte dhe më pas e kanë tërhequr zvarrë drejt kabinës së rojës, ku e kanë mbajtur me forcë deri në ndërhyrjen e policisë.

Gjatë protestës, është raportuar se punonjësit e “Major Security” përdornin maska të zeza dhe spray me piper ndaj qytetarëve të mbledhur në tubim, duke përshkallëzuar tensionin në zonë.

Nga verifikimet ka rezultuar se dy të arrestuarit nuk janë të licencuar për ushtrimin e aktivitetit të sigurisë private. Ndërkohë, Gerald Biba dyshohet se është pronari në hije i kompanisë “Major Security”, e regjistruar në emër të vjehrrës së tij, Shpresa Myzyri.

Si pasojë e ngjarjes, autoriteteve u kanë hequr licencën e ushtrimit të aktivitetit kompanive “Major Security” dhe “Myrto Security”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, të arrestuarit akuzohen për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, pasi në bashkëpunim kanë tërhequr me forcë protestuesin E. S., duke i shkaktuar dëmtime trupore.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të identifikuar dhe ndëshkuar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje, e cila ka shkaktuar reagime të forta publike dhe ka ngritur shqetësime për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve.

Njoftimi i policisë:

Vijojnë hetimet intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë autorët e veprimeve ose mosveprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec.

Ndalohen dhe vihen në pranga 2 shtetasit që tërhoqën me forcë, pjesëmarrësin në tubim.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasit A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

Të dy akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B. (të arrestuar), kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E. S., të cilit i kanë shkaktuar dëmtime trupore.

Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasit e ndaluar, A. G. dhe G. V., nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.