Igballe Berisha i përgjigjet Ramës: Protestoj kundër padrejtësive!
Igballe Berisha Huduti i është përgjigjur publikisht kryeministrit Edi Rama, pas deklaratave të këtij të fundit, i cili e etiketoi atë si “motra” e gjeneralit iranian Kasem Sulejmani.
Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Huduti thekson se pjesëmarrja në protesta nuk lidhet me interesa personale apo përfitime, por është e bazuar në bindje të forta patriotike dhe qytetare. Ajo shprehet se zëri i saj do të mbetet gjithmonë në funksion të së vërtetës, drejtësisë dhe interesit publik.
Huduti nënvizon se rrjedh nga një familje shqiptare dhe se përvojat e vështira në jetë e kanë bërë më të ndjeshme ndaj padrejtësive që prekin qytetarët. Sipas saj, kjo është arsyeja pse nuk mund të qëndrojë në heshtje përballë problemeve që, sipas saj, prekin shoqërinë.
Ajo deklaron se proteston jo nga urrejtja ndaj individëve të caktuar, por nga dashuria për vendin dhe bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur cenohen interesat publike. Në mesazhin e saj, Huduti bën thirrje për dialog dhe reflektim, duke theksuar se përçarjet dhe tensionet shmangen përmes komunikimit dhe respektit ndaj qytetarëve.
Në vijim të reagimit, ajo i drejtohet jo vetëm kryeministrit, por edhe liderëve ndërkombëtarë dhe institucioneve si Bashkimi Evropian, duke kërkuar që të dëgjohet zëri i qytetarëve të pakënaqur.
Huduti shpreh bindjen se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar, ndërsa thekson se përgjegjësia për drejtimin e vendit duhet ushtruar me drejtësi dhe ndershmëri.
Në përfundim, ajo apelon për paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë, duke theksuar se ndihet e përgjegjshme për fatin e vendit dhe të shoqërisë.
Reagimi i plotë:
I nderuar Kryeministër Edi Rama.
Dalja ime në protestë nuk ka motive përfitimi, por motive patriotike dhe qytetare. Unë jam bijë e një familjeje shqiptare dhe kam kaluar shumë sprova, padrejtësi dhe vështirësi në jetë. Pikërisht për këtë arsye nuk mund të hesht përballë padrejtësive që prekin popullin tim.
Edhe sikur trupi im të mos jetë më një ditë, fjala dhe zëri im do të vazhdojnë të jenë në shërbim të së vërtetës, drejtësisë dhe dinjitetit njerëzor. Unë nuk dal në protestë nga urrejtja ndaj askujt, por nga dashuria për popullin tim dhe nga bindja se çdo qytetar ka të drejtë të ngrejë zërin kur mendon se po cenohet interesi publik.
Ju bëj thirrje juve dhe çdo udhëheqësi botëror si dhe BE që të dëgjoni zërin e qytetarëve të revoltuar. Historia ka treguar se asnjë pushtet nuk është më i fortë se vullneti i një populli të ndërgjegjësuar. Besoj se dialogu, drejtësia dhe respekti ndaj qytetarëve janë rruga më e mirë për të shmangur përçarjet dhe konfliktet.
Zoti është dëshmitar i veprave tona. Pozitat janë amanet dhe përgjegjësi. Kur pushteti përdoret me drejtësi, ai bëhet bekim; kur keqpërdoret, bëhet barrë për mbajtësin e tij.
Unë jam shqiptare dhe ndihem përgjegjëse për fatin e kombit tim. Nuk mund të fle e qetë kur shoh probleme që prekin shoqërinë tonë. Besoj se njeriu vlen aq sa shqetësohet për hallet e të tjerëve dhe aq sa përpiqet të kontribuojë për të mirën e përbashkët.
Nuk kërkoj armiqësi me askënd. Kërkoj paqe me drejtësi, dialog me respekt dhe një Shqipëri më të mirë për të gjithë.
As Lindje, as Perëndim – Paqe me Drejtësi për Shqipërinë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



