Alarm në bregdet, zjarr i përmasave të mëdha në plazhin e Tales
Një vatër e re zjarri është aktivizuar në zonën me kallamishte pranë plazhit të Tales, në Lezhë, duke përfshirë një sipërfaqe të gjerë përgjatë vijës bregdetare.
Flakët, të ndihmuara nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi, duke djegur një hapësirë që llogaritet nga rreth 500 metra deri në afro 1 kilometër. Intensiteti i zjarrit dhe kushtet atmosferike kanë vështirësuar kontrollin e situatës.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse të Lezhës, të cilat po përballen me pengesa serioze për shkak të terrenit të vështirë. Prania e kënetave midis vijës së plazhit dhe zonës së përfshirë nga flakët e bën pothuajse të pamundur afrimin e mjeteve zjarrfikëse pranë vatrës aktive.
Në afërsi të zonës së rrezikuar ndodhen disa struktura turistike dhe shërbimi, duke rritur shqetësimin për përhapjen e mëtejshme të flakëve. Ekipet e emergjencës janë pozicionuar pranë këtyre objekteve, në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë menjëherë nëse zjarri avancon dhe rrezikon sigurinë e tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



