E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Dosja Partizani, ish-presideti Topi: Malltezin e njoh si dhëndër të Berishës
Lajme

Dosja Partizani, ish-presideti Topi: Malltezin e njoh si dhëndër të Berishës

Ka nisur gjykimi në themel për dosjen e njohur si “Partizani”, ndërsa në seancën e radhës ka dëshmuar ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Ai u paraqit në Gjykatën e Posaçme, ku në sallë ishin të pranishëm prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai.

I pandehuri Sali Berisha nuk ishte fizikisht në seancë, por u përfaqësua nga avokatët e tij. Ndërkohë, të pranishëm në sallë ishin edhe Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja, ndërsa disa të tjerë u përfaqësuan nga mbrojtësit ligjorë.

Në nisje të dëshmisë, gjykata i kujtoi Topit detyrimin për të thënë të vërtetën, ndërsa ai u përgjigj me betimin përkatës. Më pas, prokurorja Enkelejda Millonai e pyeti mbi njohjet që ka me personat nën hetim.

Topi sqaroi se raportet e tij me ta kanë qenë minimale. Ai deklaroi se Jamarbër Malltezin e njeh vetëm si dhëndër të ish-kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se nuk kanë pasur asnjëherë marrëdhënie personale.

“Malltezin e njoh si dhëndër i doktor Berishës, me të cilin kam punuar për një kohë të gjatë. Dua të specifikoj se asnjëherë nuk jemi ulur qoftë edhe për një kafe. Pra, ka qenë një njohje në distancë,” u shpreh Topi.

Sa i përket Xhimi Begejës, ish-Presidenti tha se kanë jetuar në të njëjtën zonë, por pa krijuar marrëdhënie shoqërore.

“Me zotin Begeja kemi banuar në një lagje të vjetër, me një distancë rreth 500 metra. Ai jetonte te Selvia, unë te Rruga e Bërdikadave. As jemi ulur, as kemi konsumuar ndonjë bisedë,” deklaroi ai.

Për Fatmir Bektashin, Topi tha se e njeh si një figurë që ka qenë e përfshirë në politikë më herët.

“Zotin Bektashi e njoh si një personazh që është marrë me politikë dikur. Në mos gaboj, ka qenë dikur zv.ministër,” tha ai, duke shtuar se nuk ka njohje me Andia Pustinën.

I pyetur më tej nga prokuroria mbi procedurat e planit të përhapjes, Topi shpjegoi rolin e tij institucional gjatë kohës që mbante detyrën e Presidentit dhe Komandantit të Forcave të Armatosura.

“Në cilësinë e Presidentit të Republikës isha edhe Komandant i Forcave të Armatosura. Procesi i planit të përhapjes ishte një proces politik që vinte nga Ministria e Mbrojtjes, një proces teknik dhe vinte si një akt. E gjithë përgatitja përbëhej nga shtabi dhe Ministria e Mbrojtjes,” u shpreh ai.

Sipas Topit, në atë periudhë vendi ndodhej në një fazë reformash të rëndësishme për anëtarësimin në NATO dhe i gjithë procesi asistohej nga ekspertë ndërkombëtarë.

“E gjithë procedura asistohej nga ekspertë shumë të njohur të NATO-s. Realizohej, mbyllej nga shtabi dhe vinte tek unë vetëm për t’u mbyllur juridikisht,” theksoi ai.

I pyetur për vendimmarrjen e tij në këtë proces, Topi nënvizoi se roli i Presidentit ishte finalizues në aspektin ligjor.

“Ka qenë jo vetëm e drejtë e Presidentit për të mbyllur një procedurë që shkonte me një arritje madhore për t’u anëtarësuar në NATO,” deklaroi ai.

Gjatë seancës, pati edhe një përballje pyetjesh mes Jamarbër Malltezit dhe ish-Presidentit lidhur me përfshirjen e një prone në planin e përhapjes në vitin 2007.

Malltezi këmbënguli:
“Jeni në dijeni që kjo pronë nuk ka qenë në planin e përhapjes as në 2004? Kush ua ka thënë që ishte në 2007?”

Topi u përgjigj duke theksuar se Presidenti nuk merret me detajet teknike të dokumenteve.

“Sipas procedurës, mbaj mend kështu ka qenë. Presidenti nuk futet në mënyrë analitike se si është përpiluar shkresa. Është Shtabi i Përgjithshëm që përgatit praktikën. Presidenti nuk ka nga ta dijë. Ai vihet në dijeni për procedurën,” tha ai.

Në vijim të debatit, ai shtoi:
“Presidenti nuk komunikon me fjalë, por në mënyrë institucionale. Në Presidencë paraqiten për të marrë firmën e Presidentit. Pra, nga Shtabi shkon tek këshilltari i ligjshmërisë, pastaj te Presidenti.”

Malltezi insistoi sërish mbi mungesën e dokumenteve konkrete, ndërsa Topi u përgjigj:
“Kur realizohet një procedurë, realizohet në mënyrë shumë rigoroze dhe në fund vijnë shkresat dhe firmosen.”

Në pyetjet e mëtejshme nga mbrojtja, Topi konfirmoi se ishte në fillim të mandatit të tij kur është trajtuar kjo çështje.

“Po, e kam bërë në muajin e parë,” tha ai, duke shtuar se mban mend procesin për shkak të volumit të madh të materialeve që trajtoheshin në atë periudhë.

Ai sqaroi gjithashtu se identifikimi i reparteve nuk bëhej përmes emrave, por përmes kodeve dhe procedurave standarde.

“Kur vjen lista e reparteve, jo domosdoshmërisht duhet ta dish që është apo jo Partizani. Por kjo nuk ta heq mundësinë të njoftohesh se në këtë pjesë paska qenë edhe Klubi Partizani,” u shpreh Topi.

Në përfundim, ai theksoi edhe një herë se procesi ishte i strukturuar dhe i asistuar nga ekspertë ndërkombëtarë, ndërsa roli i tij mbetej brenda kornizës institucionale dhe ligjore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.