E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush është Neritan Nallbati dhe lidhjet me “dorën e zezë” të krimit
Lajme

Kush është Neritan Nallbati dhe lidhjet me “dorën e zezë” të krimit

Trajektorja e dyshimtë nga mësues muzike te lidhjet me call center-at

Ristrukturimi i niveleve drejtuese në Policinë e Shtetit ka hapur një kapitull të ri në kupolën e institucionit, ndërsa një emër i njohur dhe mjaft i diskutuar, Neritan Nallbati, rezulton të mos jetë pjesë e garës për pozicionet kryesore.

Me ardhjen në krye të strukturës së re të drejtimit të Policisë së Shtetit nga Skënder Hita, është shpallur procesi për përzgjedhjen e drejtuesve të gjashtë departamenteve kryesore. Lista e kandidatëve që kanë shprehur interes për këto poste përfshin emra si: Pëllumb Seferi, Artan Barjaktari, Lorenc Panganika, Saimir Muça, Hergis Jica, Idajet Faskaj, Ferdinand Mara, Alban Dauti dhe Lutfi Minxhozi.

Megjithatë, ajo që bie më shumë në sy është mungesa e Neritan Nallbati, aktualisht drejtues i Departamentit të Policisë Kriminale, i cili nuk ka paraqitur kandidaturën për asnjë nga këto poste.

Nga mësues në polici me kurs 5-mujor

Karriera e Nallbatit në strukturat e policisë është shoqëruar ndër vite me debate dhe polemika. Sipas të dhënave të dokumentuara në dosjen e tij personale, ai ka kryer studimet në vitet 1989–1991 në ish-Institutin Pedagogjik të Elbasanit për “Mësues i ciklit të ulët”.

Pas një periudhe shumë të shkurtër pune si mësues, ai ndoqi një kurs 5-mujor për polici në periudhën tetor 1991 – shkurt 1992, të cilin e ka deklaruar si arsimim në Akademinë e Policisë.

Vetëm një ditë pas përfundimit të këtij kursi, më 1 mars 1993, ai u emërua specialist në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku qëndroi deri në fund të vitit 1999. Më pas kaloi në Ministrinë e Brendshme deri në fillim të vitit 2001.

Lëvizjet në polici dhe akuzat për lidhje me krimin

Në vijim të karrierës së tij, Nallbati u transferua në Drejtorinë e Policisë Elbasan në vitin 2002, ku qëndroi për një periudhë të shkurtër. Më pas u emërua Drejtor Policie në Vlorë, një periudhë që është shoqëruar me akuza për lidhje dhe ndikim të grupeve kriminale.

Në korrik 2003, ai u rikthye sërish në Elbasan, ndërsa në nëntor të po atij viti u përjashtua nga radhët e policisë, pas presionit të strukturave ndërkombëtare, për shkak të dyshimeve për lidhje me botën e krimit.

Pas largimit, ai rezulton të ketë qenë i angazhuar në sektorin privat, në aktivitete të lidhura me bizneset e individëve që, sipas burimeve, kishin përfituar nga vendimmarrjet e tij të mëparshme.

Nga mësues muzike në polic me 5 muaj kurs, ikën nga uniformat blu

Rikthimi dhe ngjitja në poste drejtuese

Në vitin 2013, pas një dekade jashtë strukturave, Nallbati rikthehet në polici, duke u emëruar drejtpërdrejt në post drejtues në Elbasan. Në vijim, ai ka mbajtur pozicione të rëndësishme në disa qarqe, përfshirë Fierin, Beratin dhe Durrësin.

Gjatë periudhës 2017–2019 ishte pjesë e kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa më pas vijoi me poste të tjera drejtuese deri në emërimin e tij, më 1 gusht 2022, si Drejtor i Departamentit të Policisë Kriminale.

Nga mësues muzike në polic me 5 muaj kurs, ikën nga uniformat blu

Dyshime për rol në goditje selektive dhe “call center”

Emri i tij është përmendur shpesh edhe në kontekstin e operacioneve ndaj rrjeteve të mashtrimit me call center në Tiranë. Në disa raste, është ngritur dyshimi për ndërhyrje selektive në aksione, dekonspirime dhe lojë të dyfishtë në raport me këto struktura kriminale.

Megjithëse fenomeni i call center-ave ka marrë përmasa të mëdha në vend, kritikat janë fokusuar te mënyra se si janë zhvilluar goditjet, duke qenë se drejtimi i Policisë Kriminale ka qenë në dorën e tij.

Jashtë garës në moment kyç për Policinë

Mungesa e Neritan Nallbatit në këtë proces përzgjedhjeje për drejtuesit e rinj të departamenteve kryesore shihet si një zhvillim i rëndësishëm në ristrukturimin e Policisë së Shtetit. Në një moment kur institucioni synon reformim dhe rritje të besimit publik, largimi i figurave të debatueshme nga gara mbetet një sinjal i fortë për drejtimin e ri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.