Ekstradimi i Ervin Matës drejt Tiranës merr “dritë jeshile”
Gjykata e Lartë e Brazilit i refuzon lirimin nga qelia
Gjykata e Lartë Federale e Brazilit ka refuzuar kërkesën për lirimin e Ervin Matës, duke i hapur njëkohësisht rrugë vijimit të procedurës për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Vendimi i fundit përforcon pozicionin e autoriteteve shqiptare, të cilat kërkojnë përballjen e tij me drejtësinë për akuza të rënda penale.
Sipas dokumentit zyrtar të datës 21 korrik 2026, të firmosur nga relatori i çështjes, ministri Alexandre de Moraes, kërkesat e paraqitura nga mbrojtja janë rrëzuar në të gjitha shkallët e shqyrtimit. Çështja lidhet me procedurën e ekstradimit nr. 1.925, e iniciuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë.
Ervin Mata akuzohet nga autoritetet shqiptare për përfshirje në trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, si dhe për aktivitet kriminal në kuadër të një organizate të strukturuar. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe u arrestua nga Policia Federale braziliane më 25 prill 2026, pas një urdhri paraprak të arrestit të vendosur në mars 2025.
Gjatë procesit gjyqësor në Brazil, avokatët e Matës kundërshtuan ekstradimin duke pretenduar shkelje të afateve procedurale nga pala shqiptare, si dhe kërkuan zëvendësimin e arrestit me masa më të lehta sigurie. Megjithatë, këto argumente nuk u pranuan nga Gjykata.
Në arsyetimin e tij, gjyqtari Alexandre de Moraes thekson se kërkesa për ekstradim është paraqitur brenda afateve ligjore dhe është konfirmuar përmes komunikimeve zyrtare diplomatike. Gjithashtu, në vendim vihet në dukje qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme të Brazilit, e cila mbështeti ekstradimin dhe kundërshtoi lirimin e të kërkuarit.
Gjykata vlerëson se masa e arrestit është e domosdoshme për të garantuar praninë e personit në proces dhe për të shmangur rrezikun e arratisjes. Sipas trupës gjykuese, nuk ekzistojnë rrethana të jashtëzakonshme që do të justifikonin ndryshimin e kësaj mase.
Në përfundim, vendimi parashikon vijimin e arrestit për Ervin Matën, duke rrëzuar çdo kërkesë të mbrojtjes për lirim apo hetime shtesë. Kjo do të thotë se ai do të mbetet në paraburgim në Brazil, ndërsa procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë vijojnë.
Sipas të dhënave nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), Mata dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti të trafikut të drogës që operonte midis Amerikës Latine dhe Europës. Hetimet pretendojnë se grupi ka trafikuar sasi të mëdha kokaine dhe ka përdorur skema financiare informale, përfshirë sistemin “Hawala”, për të fshehur dhe transferuar fitimet.
Po ashtu, dyshohet se të ardhurat e krijuara nga aktiviteti kriminal janë investuar në sektorin e ndërtimit në Shqipëri, me qëllim pastrimin e parave dhe maskimin e burimit të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



