E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Saranda nuk mund të lihet në mëshirë të fatit
Sot

Saranda nuk mund të lihet në mëshirë të fatit

Saranda kishte kohë që ishte nën kontrollin e krimit, që kur u shpartallua i gjithë komisariati, duke u vënë në pranga shefin e komisariatit, Gëzim Bashllari, i cili u denoncua disa herë nga Publik Media me fakte. Që nga ajo kohë, edhe pse kreu i ri i Policisë së Shtetit ka bërë ndryshime prej ditësh, Saranda është kthyer në qendër të vëmendjes publike. Është kthyer në vëmendje për një arsye shumë më të rëndë: përplasjen gjithnjë e më të dukshme mes interesave private, krimit dhe autoritetit të shtetit.

Ajo që po ndodh nuk mund të trajtohet më si një seri episodësh të shkëputur. Kur ngjarjet përsëriten, kur konfliktet rëndohen, kur uniforma sfidohet dhe kur krijohet perceptimi se privati mund ta tërheqë shtetin pas vetes, atëherë problemi nuk është më vetëm policor. Është institucional. Rasti i klubit problematik prej vitesh “Orange” dhe shfrytëzimi që i bënë disa portale për interesa, duke publikuar copa videosh, ka çoroditur edhe opinionin. Pastaj akoma më e rëndë bëhet situata kur në këtë klab punonin punonjës policie apo efektivë të RENEA-s. Duhet  parë edhe një rritje e pagave  të efektivëve të policisë pasi kudo të has syri si roje apo bodyguardë pas orarit zyrtar. Ata janë të detyruar t’u shërbejnë bizneseve kriminale.

Kjo situatë nuk lindi tani. Ajo prej kohësh ishte majisur, por tani po shpërthen.

Prej kohësh, krimi është toleruar, relativizuar ose mbuluar nga mungesa e reagimit institucional.

Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit i duhet një hetim i brendshëm, verifikim i zinxhirit të komandimit, analizë e ngjarjeve të përsëritura dhe identifikim i çdo hallke që ka dështuar.

Feliks Hodaj konsiderohet një prej oficerëve me përvojë dhe njohje teknike të strukturave policore. Por asnjë drejtues, sado profesional të jetë, nuk mund të përballojë i vetëm një territor ku ndërthuren interesa ekonomike, turizëm masiv, biznes, kriminalitet, konflikte pronësie dhe influenca lokale.

Saranda nuk është një komisariat periferik me aktivitet të kufizuar. Në muajt e verës është një nga zonat me densitetin më të madh ekonomik dhe njerëzor në vend. Pikërisht për këtë arsye kërkon strukturë të fortë hetimore, inteligjencë policore, mbikëqyrje të brendshme dhe mbështetje operative nga qendra.

Shteti nuk mund të jetë gjithmonë një hap pas ngjarjes.

Nuk mund të ndërhyjë vetëm pasi ka plasur konflikti, pasi janë përdorur armët, pasi një person është vrarë apo pasi një episod është bërë publik.

Policia moderne nuk matet vetëm me numrin e arrestimeve pas ngjarjes. Matet edhe me aftësinë për të kuptuar territorin, për të identifikuar konfliktet, për të parandaluar përshkallëzimin dhe për të goditur lidhjet mes interesit kriminal dhe strukturave që duhet ta kontrollojnë atë.

Nëse një zonë prodhon vazhdimisht ngjarje ku krijohet përshtypja se privati sfidon shtetin, atëherë nuk mjafton ndryshimi i një drejtuesi, as një arrestim apo një transferim.

Nuk mjafton as një operacion disaorësh që harrohet pas dy ditësh, por duhet një strategji e posaçme për Sarandën.

Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe AMP-ja duhet të analizojnë jo vetëm personat, por sistemin: kush kontrollon territorin, cilat janë grupet e interesit, ku ndodhin përplasjet, si funksionon informacioni policor, pse disa konflikte nuk parandalohen dhe nëse ekzistojnë struktura që janë konsumuar nga presioni lokal. Në Sarandë, prej kohësh, janë futur në lojë edhe banditë nga Kamza.

Problemi i madh është momenti kur krimi kupton se shteti mund të sfidohet, se mund të blihet me para. Duhet thënë se një rol negativ luan edhe Prokuroria e Sarandës, bashkë me gjykatën.

Rikthimi i autoritetit të uniformës policore dhe i besimit bëhet shumë më i vështirë se një operacion policor.

Për fat të keq, perceptimi publik ndaj uniformës policore po rëndohet. Çdo episod i pazbardhur, çdo ndërhyrje e vonuar dhe çdo përplasje ku shteti duket më i dobët se privati e ushqen këtë perceptim.

Prandaj jo vetëm Saranda duhet pastruar, por edhe banditët që nga Durrësi, Elbasani, Kamza apo Fieri, që të rikthehet jo vetëm besimi, por edhe autoriteti i Policisë së Shtetit.

Dhe shteti, në një qytet me kaq shumë interesa, duhet të jetë më i organizuar, më i shpejtë dhe më i fortë se çdo interes që përpiqet ta sfidojë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.