E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Principotes në Ksamil, e shkuara e pronarit Bekim Bulica
Sot

Principotes në Ksamil, e shkuara e pronarit Bekim Bulica

 

Ngjarja e rëndë e ndodhur në Ksamil ka rikthyer në vëmendje jo vetëm kompleksin “Principotes”, por edhe emrin e pronarit të lidhur me aktivitetin e tij, Bekim Bulica, një personazh i përmendur më herët në kronikat kriminale dhe në raportime të mediave franceze.

Sipas të dhënave të publikuara, lidhjet e kompleksit me Francën duken të forta. Klubi i natës në “Principotes” mban emrin francez “La Guerre”, ndërsa në rrjetet sociale njoftohen rregullisht aktivitete të cilësuara si “Netët franceze”. Edhe mbrëmjen kur ndodhi ngjarja e rëndë në Ksamil, në ambientet e kompleksit raportohet se ishte i ftuar një DJ francez.

Vetë “Principotes” rezulton i regjistruar në emër të Kade Bulicës, 71 vjeçe, nga Kukësi, e cila është nëna e Bekim Bulicës.

Emri i këtij të fundit nuk është i panjohur për autoritetet shqiptare.

Në shkurt të vitit 2021, Bekim Bulica u ekstradua nga Franca drejt Shqipërisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në bazë të një vendimi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës.

Gjykata, më 14 tetor 2019, kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Procedimi lidhej me një ngjarje të ndodhur më 19 shtator 2019 në Kukës, ku, sipas të dhënave të publikuara në atë kohë, ishte qëlluar me armë në drejtim të automjetit të shtetasit F.C.

Emri i Bulicës u shfaq sërish në kronikën e zezë në shtator 2023. Ai dhe disa persona të tjerë dyshohej se ishin përfshirë në një ngjarje të dhunshme në Tiranë, ku një punonjës policie dhe vëllai i tij pretendohej se ishin goditur me shkopinj gome.

Për këtë ngjarje, policia arrestoi Blerim Bulicën, ndërsa Bekim Bulica dhe tre persona të tjerë u shpallën në kërkim.

Por emri i Bekim Bulicës është përmendur edhe përtej Shqipërisë.

Në maj 2024, prestigjiozja franceze “Le Monde” publikoi një artikull ku përshkruhej aktiviteti i një shqiptari me pseudonimin “Zamir”, i cili, sipas medias franceze, drejtonte një prej rrjeteve të shpërndarjes së kokainës në Paris.

Në artikull përshkruhej edhe një episod dhune, ku “Zamir” akuzohej se kishte rrëmbyer dhe dhunuar një shpërndarës që dyshohej se ishte larguar me një pjesë të klientelës. Sipas medias franceze, pamjet e dhunës më pas ishin përdorur për të frikësuar persona të tjerë.

Raportimet e mediave franceze dhe të dhënat nga kronikat e mëparshme shqiptare e vendosin emrin e Bekim Bulicës në një kontekst që shkon përtej aktivitetit turistik në Ksamil.

Ngjarja e fundit në “Principotes” ka rikthyer edhe një herë vëmendjen mbi kompleksin, pronësinë e tij dhe historikun e personave të lidhur me të.

Të gjitha pretendimet për përfshirje në veprimtari kriminale mbeten subjekt i hetimeve dhe procedimeve përkatëse dhe nuk përbëjnë fajësi të provuar pa një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.