U arrestua me Agasin, Shpataraku me arsenal armësh në banesë
Detaje të reja dalin për Uljan Shpatarakun, ish-efektivin e Policisë së Shtetit që u arrestua në flagrancë pasi u kap në automjet me Ergys Agasin.
Shpatarakut i është hequr leja e armës, ndërsa autoritetet i kanë sekuestruar edhe një arsenal armësh private që ai mbante me leje në banesë.
Sipas të dhënave, bëhet fjalë për shtatë armë: 3 pistoleta, 2 shotgun dhe 2 pushkë.
Shpataraku ishte përjashtuar nga Policia e Shtetit disa javë përpara arrestimit, ndërsa ndaj tij kishin nisur edhe procedurat për heqjen e lejes së armës që zotëronte për shkak të funksionit. Pikërisht gjatë këtyre procedurave u konstatua edhe arsenali privat që ish-zyrtari policor mbante në banesë.
Arsenali i armëve
Shpataraku njihej si një nga njerëzit e afërt dhe krahu i djathtë i ish-kryepolicit Ilir Proda. Emri i tij doli sërish në qendër të vëmendjes më 26 gusht, kur u kap duke drejtuar automjetin tip “Audi” ku udhëtonte Ergys Agasi, i kërkuar prej tetë muajsh nga SPAK për dosjen që lidhet me tenderët e AKSHI-t.
Përveç çështjes së armëve, për Shpatarakun ka edhe indicie se mund të ketë pasur një precedent penal jashtë vendit, të cilin nuk e ka deklaruar.
Sekuestrimi i arsenalit prej shtatë armësh shton kështu një tjetër element në profilin e ish-efektivit që, vetëm pak javë pas largimit nga Policia, u kap në timonin e makinës ku udhëtonte një prej personave më të kërkuar nga SPAK.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



