Gjykata amerikane frenon rihapjen e Lotarisë Amerikane për vitin 2027
Një zhvillim i ri gjyqësor në Shtetet e Bashkuara ka rikthyer pasigurinë për mijëra persona që presin të aplikojnë në programin e Lotarisë Amerikane. Gjykata e Apelit e Qarkut të Nëntë ka pezulluar vendimin që detyronte administratën amerikane të rihapte regjistrimet për programin e Vizave të Diversitetit, të njohur gjerësisht si Green Card Lottery, për vitin 2027.
Vendimi vjen pasi qeveria amerikane paraqiti një kërkesë urgjente për të ndalur zbatimin e një vendimi të mëparshëm gjyqësor. Kjo e fundit kishte urdhëruar Departamentin e Shtetit të rikthente procesin e aplikimeve përpara datës 1 nëntor.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, trupa gjykuese pranoi kërkesën e administratës amerikane, duke i hapur rrugë vazhdimit të pezullimit të regjistrimeve deri në shqyrtimin e mëtejshëm të çështjes.
Një nga argumentet që ndikoi në këtë vendimmarrje lidhet me pretendimin se pala që kishte ngritur padinë nuk kishte dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme se kishte të drejtën ligjore për të kundërshtuar pezullimin e programit.
Regjistrimet për Green Card 2027 mbeten të bllokuara
Për momentin, aplikimet për Lotarinë Amerikane 2027 nuk do të rihapen sipas afatit të kërkuar nga vendimi i mëparshëm. Administrata e presidentit Donald Trump mund të vijojë ta mbajë procesin të pezulluar, ndërsa gjykata shqyrton ankimin e paraqitur nga qeveria.
Megjithatë, vendimi i fundit nuk duhet interpretuar si shfuqizim përfundimtar i programit të Lotarisë Amerikane. Bëhet fjalë për një masë pezulluese gjatë procesit gjyqësor, ndaj mbetet e hapur mundësia e zhvillimeve të tjera që mund të ndikojnë në fatin e regjistrimeve.
Sa Green Card jepen çdo vit përmes Lotarisë Amerikane?
Programi i Vizave të Diversitetit është një prej mekanizmave përmes të cilit Shtetet e Bashkuara u krijojnë mundësi emigrimi qytetarëve të vendeve me nivele historikisht të ulëta emigrimi drejt territorit amerikan.
Në kuadër të këtij programi parashikohet shpërndarja e deri në 55 mijë vizave në vit, përmes një procesi përzgjedhjeje me short, ku aplikantët që plotësojnë kriteret kanë mundësi të përfitojnë të drejtën për të vijuar procedurat e emigrimit.
Për vitin 2027, ende nuk është bërë e ditur një datë e re për hapjen e aplikimeve. Kështu, personat që prisnin të regjistroheshin në Lotarinë Amerikane duhet të presin vendimet e ardhshme të autoriteteve amerikane dhe zhvillimin e procesit gjyqësor.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



