Dokumentet/ Familja e sanitares rrëzon foton me euro të dosjes Ballukut: Nuk e kemi parë kurrë!
Veliaj godet Ramën me fotot me euro
Tre anëtarët e familjes mohojnë dijeninë për kutinë e kuqe me kartëmonedha 50-euroshe.
PUBLIK.al publikon dëshmitë e plota të nënës, babait dhe vajzës, të cilat nuk ishin bërë publike më parë.
Fotografia, që po përdoret si argument kundër Ballukut, ngre pikëpyetje edhe për prapaskenat politike, në një kohë kur përplasja mes Ramës dhe Veliajt është intensifikuar.
Një fotografi me një kuti të kuqe të mbushur me tufa kartëmonedhash 50-euroshe e shitur si eksluzive në median e Varicarlo Boli nos, e cila ka dalë nga dosja e SPAK për vilën në Dhërmi, që dyshohet se përdorej nga ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Por në fakt dëshmia e plotë nxjerr në dritë dëshmi që ndryshojnë ndjeshëm panoramën e kësaj historie.
Në sfondin e këtij publikimi duket se qëndron edhe përplasja e ashpër politike mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke ngritur dyshime për përdorimin e materialeve të dosjes si instrument hakmarrjeje dhe presioni ndaj kryeministrit dhe njerëzve të tij. Afërsia e disa mediave me kryebashkiakun e Tiranës dhe koha e publikimit të fotografisë pa dëshminë e plotë nga dosja e SPAK-ut, tregojnë luftën e ashpër që ka plasur brenda klaneve të PS-së.
PUBLIK.al ka siguruar deklarimet e tre anëtarëve të familjes së punonjëses së pastrimit, të cilët janë pyetur nga hetuesit për fotografinë e datës 17 korrik 2021. Nëna, bashkëshorti dhe vajza e saj japin të njëjtin qëndrim: nuk e kanë parë më parë fotografinë, nuk kanë dijeni për kutinë me para dhe nuk dinë të shpjegojnë se si imazhi ka përfunduar në telefon.
Bëhet fjalë për deklarime që nuk ishin publikuar deri më tani dhe që hedhin dritë mbi një element të rëndësishëm të hetimit, ndërsa fotografia është përdorur në raportimet mediatike si një prej materialeve që pretendohet se lidhet me përdorimin e vilës nga Balluku.
Dëshmia e nënës: Nuk e kam parë fotografinë, nuk di as çfarë përmban
Në deklarimin e saj përpara hetuesve, Lavdije Smone, e cila kryente punë pastrimi në banesën e Belinda Ballukut në Tiranë, është pyetur për fotografinë e gjetur në telefonin e saj, ku shfaqet kutia e kuqe me kartëmonedha.
Sipas procesverbalit, imazhi mban datën 17 korrik 2021 dhe rezulton t’i jetë dërguar përmes WhatsApp-it nga një kontakt i regjistruar me emrin “Babi”, që sipas hetuesve identifikohet si bashkëshorti i saj.
E pyetur nëse kishte vizituar vilën në Dhërmi, Lavdije Smone deklaron se nuk e mban mend emrin e kompleksit, por konfirmon se ka shkuar në një vilë në atë zonë ku punonte. Ajo nuk arrin të përcaktojë me saktësi periudhën e vizitave.
Kur i paraqitet fotografia, përgjigjja e saj është se nuk e ka parë kurrë dhe nuk e dinte që ndodhej në telefonin e saj. Ajo shton se aparatin celular e përdorte edhe vajza e saj.
As fakti që fotografia rezulton e dërguar nga numri i bashkëshortit nuk i jep një shpjegim. E pyetur për këtë rrethanë, ajo përgjigjet se nuk di çfarë të thotë dhe përsërit se nuk e ka parë më parë imazhin.
Në deklarimin e saj, Smone thekson gjithashtu se nuk ka parë para gjatë qëndrimeve në vilë dhe se në familje nuk është diskutuar asnjëherë për para të gjetura në këtë pronë apo për fotografinë në fjalë.
Bashkëshorti pranon fotografitë e vilës, por mohon kutinë me euro
Edhe Lavdrim Smone, bashkëshorti i punonjëses së pastrimit, është pyetur për fotografinë që rezulton të jetë dërguar nga numri i tij.
Ai deklaron se nuk e ka parë më parë imazhin dhe nuk di ta ketë dërguar vetë. Për më tepër, mohon të ketë parë ndonjëherë para në vilën në Dhërmi ku punonte bashkëshortja e tij.
“Unë nuk kam parë asnjëherë asnjë lek”, është qëndrimi i tij në lidhje me këtë çështje, sipas procesverbalit.
Megjithatë, në dëshminë e tij gjendet një tjetër detaj me rëndësi për hetimin. Smone pranon se ka realizuar fotografi dhe video të ambienteve të vilës, por shpjegon se këtë e ka bërë për arsye pune.
Sipas tij, qëllimi ishte të dokumentonte gjendjen e banesës pas pastrimit, në mënyrë që të kishte prova se shërbimi ishte kryer dhe ambientet ishin lënë në rregull.
Ai sqaron se askush nuk ia kishte kërkuar një gjë të tillë, por kishte vendosur ta bënte vetë për të shmangur pretendimet e mundshme se puna nuk ishte kryer.
Pra, babai konfirmon se ka fotografuar ambientet e pronës, por mohon të ketë pasur dijeni për fotografinë e kutisë me euro, të cilën hetuesit e kanë lidhur me të njëjtën vilë.
Vajza: Kam ndihmuar nënën, por nuk kam parë asnjë para
Një tjetër dëshmi e rëndësishme është ajo e vajzës së familjes, Maresa Smone.
Ajo konfirmon se ka shkuar dy herë në një vilë në Dhërmi ku punonte e ëma, në periudhën kur ishte studente, nga viti 2019 deri në vitin 2023. Sipas saj, vizitat kanë qenë për të ndihmuar nënën me pastrimin.
Megjithatë, ajo deklaron se nuk e mban mend emrin e kompleksit, mobilimin apo vendndodhjen e saktë të vilës.
Në asnjë prej rasteve që ka qenë atje, Maresa Smone thotë se nuk ka parë para. Ajo shton se as në bisedat familjare nuk është diskutuar ndonjëherë për para të gjetura në vilë apo për një fotografi të tillë.
E pyetur se si shpjegon praninë e imazhit në telefon, përgjigjja e saj është se nuk ka dijeni dhe se fotografinë e ka parë për herë të parë gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit.
Në dokumentin e nënshkruar prej saj, ajo mohon gjithashtu të ketë pasur dijeni për kutinë e kuqe dhe për atë që mund të përmbante fotografia.
Çfarë ka në të vërtetë fotografia dhe çfarë pretendon SPAK?
Sipas materialeve hetimore të bëra publike, fotografia është dërguar përmes WhatsApp-it më 17 korrik 2021, në orën 10:06, nga numri i Lavdrim Smones. Në të shfaqet një kuti e kuqe me tufa kartëmonedhash 50-euroshe të lidhura me llastik.
SPAK dyshon se fotografia është realizuar në ambientet e vilës F6 në kompleksin turistik “White Rocks” në Dhërmi.
Por këtu duhet bërë një dallim i rëndësishëm: fotografia e administruar nga hetuesit nuk është e njëjta gjë me gjetjen dhe sekuestrimin fizik të parave në vilë. Nuk bëhet fjalë për një kuti me euro të sekuestruar në pronë, por për një imazh të gjetur në një telefon, të cilin prokuroria dyshon se e lidh me ambientet e kësaj banese.
Po ashtu, fotografia nuk përcakton vetvetiu kujt i përkasin paratë, sa është shuma e tyre apo cila është origjina e tyre.
Hetimi për pronësinë faktike të vilës mbështetet edhe në një numër të madh komunikimesh telefonike të periudhës 2018-2025, të dhëna të vendndodhjes së celularëve, fotografi dhe komunikime mes personave që kanë pasur lidhje me pronën.
Sipas SPAK, vila në kompleksin “White Rocks”, me sipërfaqe 103 metra katrorë dhe truall prej të paktën 300 metrash katrorë, përdorej nga Belinda Balluku, ndonëse në dokumentet e pronësisë rezulton në emër të ish-futbollistit Igli Tare.
Në materialet hetimore përmenden edhe komunikime mes Maresa Smone dhe motrës së saj, Aida Smone, më 24 korrik 2022. Në këto biseda diskutohet për udhëtime drejt Dhërmiut dhe për punën që lidhej me Belinda Ballukun.
Vila është sekuestruar me vendim gjykate, ndërsa Igli Tare e ka kundërshtuar sekuestrimin, duke pretenduar se prona është e tij dhe se përdorimi nga Balluku lidhej me marrëdhënien e tyre miqësore.
Hakmarrja e Veliajt ndaj Ramës, fotografia me euro si armë politike?
Publikimi i fotografisë me euro vjen në një moment kur përplasja mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt ka marrë përmasa të reja politike. Konflikti mes dy figurave të rëndësishme të Partisë Socialiste nuk është më thjesht një çështje raportesh personale, por lidhet edhe me kontrollin e Bashkisë së Tiranës, ndikimin brenda mazhorancës dhe të ardhmen politike të njerëzve të afërt me secilin prej tyre.
Në këtë klimë, publikimet që godasin figura të rëndësishme të qeverisë marrin një dimension tjetër, sidomos kur shpërndahen dhe amplifikohen nga media që janë perceptuar si të afërta me Veliajn.
Nuk është e vështirë të kuptohet se një dosje e tillë mund të shndërrohet në instrument presioni në betejën e brendshme socialiste. Balluku është një prej figurave më të rëndësishme të kabinetit Rama dhe një nga njerëzit që kanë pasur peshë në strukturën e pushtetit të kryeministrit. Për këtë arsye, çdo goditje ndaj saj ka potencialin të prekë edhe vetë Ramën.
Transferimi i Veliajt në paraburgimin e Fierit, më 28 tetor, dy ditë pasi ai kishte publikuar një mesazh në mbështetje të protestave studentore, u shoqërua me interpretime të shumta politike. Në vijim, në debatin publik janë ngritur pretendime për një konflikt që lidhet me delegimin e kompetencave dhe kontrollin e firmës në Bashkinë e Tiranës.
Në këtë sfond, dyshimi për një hakmarrje politike të Veliajt ndaj Ramës përmes mediave pranë tij nuk mund të përjashtohet si pistë interpretimi. Publikimi i materialeve që godasin njerëzit e kryeministrit, në një moment kur marrëdhëniet mes tyre janë në pikën më të ulët, ngre pikëpyetje të forta për interesat që mund të fshihen pas kësaj fushate mediatike.
Megjithatë, deri tani nuk ka prova publike që të vërtetojnë se Veliaj ka organizuar publikimin e fotografisë, ka ndërhyrë në përmbajtjen e saj apo ka udhëzuar ndonjë media për ta përdorur atë kundër Ballukut dhe Ramës.
Ajo që kërkon shpjegim është mënyra se si një fotografi, për të cilën tre anëtarë të së njëjtës familje deklarojnë se nuk kanë dijeni, po paraqitet në disa raportime si një zbulim që provon praninë e parave në vilë.
Hetimi i SPAK duhet të vlerësojë autenticitetin, origjinën, kontekstin dhe rëndësinë provuese të fotografisë, ndërsa publiku ka të drejtë të informohet për të gjitha deklarimet që lidhen me të, jo vetëm për interpretimin që i bëhet imazhit.
Në fund, mbetet një pyetje që nuk mund të anashkalohet: a po përdoret fotografia e kutisë me euro vetëm si element i hetimit për Ballukun, apo edhe si një tjetër armë në luftën e brendshme për pushtet mes Edi Ramës dhe Erion Veliajt?
PUBLIK.al ka siguruar dhe publikon këto deklarime për të sjellë një panoramë më të plotë të materialeve hetimore, përtej titujve dhe interpretimeve politike që kanë shoqëruar fotografinë. Redaksia mbetet e hapur për qëndrimet e Belinda Ballukut, Erion Veliajt, Edi Ramës, Igli Tares dhe personave të tjerë të përmendur në këtë çështje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco








