Flet shqip, blen ullinj dhe bën palestër, kush është ambasadori i ri i Izraelit në Tiranë
Ambasadori i ri i Izraelit në Shqipëri, Ohad Nakash Kaynar, ka zgjedhur një mënyrë ndryshe për të prezantuar nisjen e misionit të tij diplomatik në Tiranë. Në vend të një komunikimi tradicional, diplomati ka publikuar një video përmes së cilës shfaqet në disa prej vendeve karakteristike të kryeqytetit.
Fillimisht, ai shfaqet në qendër të Tiranës, për të vijuar më pas drejt Pazarit të Ri, ku ndalet për të blerë ullinj. Një tjetër ndalesë është libraria dhe kompania “Adrion”, në qendër të qytetit, ku interesohet për libra dhe guida në gjuhën shqipe.
Në video, ambasadori shfaqet edhe në palestër, duke ngritur pesha të rënda, ndërsa një nga elementët që bie më shumë në sy është fakti se ai komunikon në gjuhën shqipe.
Përmes këtyre momenteve, Nakash Kaynar duket se synon të përcjellë një mesazh afrimiteti me vendin ku do të ushtrojë detyrën, duke treguar interes për gjuhën, kulturën dhe jetën e përditshme në Shqipëri.
Një mision diplomatik në klimë të tensionuar
Ardhja e ambasadorit të ri në Tiranë ndodh në një moment delikat për marrëdhëniet dhe debatet publike që lidhen me Izraelin.
Protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit janë shoqëruar edhe me retorikë të ashpër kundër Izraelit, ndërsa janë ngritur shqetësime për praninë e elementëve antisemitë në disa prej mesazheve dhe qëndrimeve të shfaqura gjatë tyre.
Në këtë klimë, misioni i Ohad Nakash Kaynar pritet të zhvillohet mes sfidave diplomatike dhe përpjekjeve për të ruajtur marrëdhëniet mes dy vendeve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



