Skandal në Serbi, BIA përgjon të gjithë prokurorët e Prokurorisë Speciale
Në shënjestër edhe drejtuesi i Prokurorisë Speciale
Një tjetër skandal që përfshin institucionet e sigurisë ka shpërthyer në Serbi. Shërbimi Informativ dhe i Sigurisë BIA dyshohet se ka përgjuar prokurorë të Prokurorisë për Krimin e Organizuar (TOK), duke monitoruar komunikimet e tyre telefonike dhe elektronike.
Sipas raportimeve të publikuara në Serbi, mbikëqyrja lidhet me hetimet që po zhvillonte kjo prokurori për çështjen e shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona, si dhe për dyshimet për korrupsion gjatë rindërtimit të infrastrukturës hekurudhore.
Burime të cituara në këto raportime pretendojnë se përmes përgjimeve BIA siguronte informacione mbi veprimtarinë e prokurorëve, takimet e tyre dhe çështjet që po hetonin.
Në përgjim dyshohet se ka qenë edhe drejtuesi i TOK-ut, prokurori Mladen Nenadić, i cili për shkak të funksionit të tij kishte kontakte të vazhdueshme me pjesën tjetër të prokurorëve.
Justifikimi: dyshime për spiunazh
Masat e mbikëqyrjes janë justifikuar zyrtarisht me dyshime për spiunazh. Sipas raportimeve, ato janë vendosur dhe rinovuar në disa data gjatë vitit 2026, konkretisht më 9 prill, 30 prill, 29 maj, 19 qershor dhe 7 tetor.
Drejtori i BIA-s, Vladimir Orlić, më 29 tetor ka iniciuar ndërprerjen e plotë të masave të përgjimit ndaj prokurorëve. Sipas informacioneve të publikuara, më pas janë rikthyer vetëm masat që lidhen me ndjekjen e grupeve kriminale, në kuadër të kompetencave të agjencisë.
Zbulimi i këtij rasti ka ngritur pikëpyetje të forta mbi ndërhyrjen e mundshme të shërbimeve të sigurisë në punën e organit të akuzës, veçanërisht në një kohë kur TOK po heton çështje të ndjeshme korrupsioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



