E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Vettingu në polici/Zbardhen formularët, ja pyetjet që do zbulojnë lidhjet e policëve me krimin
Lajme

Vettingu në polici/Zbardhen formularët, ja pyetjet që do zbulojnë lidhjet e policëve me krimin

Zbardhen formularët që do të plotësojnë efektivët e policisë gjatë procesit të vetingut në polici. Në kuadër të seancës plenare të së hënës që do të miratohet edhe ligji i vetingut në polici, gazeta ka mundur të sigurojë formularët që do të plotësojnë efektivët për deklaratën e pasurisë, kontrollit të figurës dhe vetëvlerësimit profesional. Por ajo çka është interesante në formularët e siguruar është se formulari i kontrollit të figurës në ndryshim nga dy formularët e tjerë është i ndërtuar në 5 pjesë. Dhe në këtë formular ka një mori pyetjesh, të cilat për të zbuluar lidhjet e policëve me krimin, variojnë nga të dhënat identifikuese, te ato të vendbanimit, të arsimit dhe kualifikimeve, të punësimit si dhe të sigurisë. Kështu të gjithë efektivët që do të plotësojnë formularin e kontrollit të figurës do duhet të deklarojnë, pas plotësimit të të dhënave sipas gjendjes civile, nëse kanë ndërruar emrin apo mbiemrin ndonjëherë. Sakaq, ajo që është interesante është se verifikimet ndaj efektivëve të policisë gjatë procesit të vetingut do të arrijnë deri në detajet më të imëta. Kjo sepse, në ndryshim nga vetingu në drejtësi, efektivët do të duhet të deklarojnë në formular edhe pseudonimet apo ndryshe nofkat që kanë pasur. Por pas këtyre dy pyetjeve interesante, efektivët do të duhet të deklarojnë gjithashtu edhe vendbanimet që kanë jetuar duke filluar nga ai aktual. Më tej ata duhet të deklarojnë edhe shtetësinë, nëse disponojnë një të dytë apo jo.

Verifikim lidhjeve fisnore

Verifikimet e kontrollit të figurës ndaj efektivëve do të jenë nga më të imtësishmet. Kjo sepse në formularin e siguruar nga gazeta, në pjesën e pestë janë pyetjet që kanë të bëjnë me sigurinë. Ajo ç’ka është interesante në këto pyetje është se në momentin që efektivët do e plotësojnë, ata do të duhet të deklarojnë me detaje një sërë pyetjesh që do të shërbejnë për pastërtinë e figurës së tyre. Kjo për faktin se ata do të duhet të deklarojnë në formular nëse kanë të afërm që janë të dënuar apo jo. Nëse po, ata duhet të përshkruajnë me detaje se përse është dënuar i afërmi dhe a ka pasur dijeni efektivi mbi aktivitetin apo kontaktet që kanë pasur të afërmit të tij me personat e përfshirë në krimin e organizuar. Por përveç kësaj pyetjeje, efektivët do të duhet të deklarojnë edhe nëse kanë qenë ndonjëherë të dënuar me vendim të formës së prerë apo jo. Por skanimi ndaj efektivëve nuk ndalet me kaq. Ata duhet të deklarojnë gjithashtu nëse kanë qenë të ndaluar apo arrestuar nga organet ligjzbatuese shqiptare apo ato të huaja. Madje ata do të deklarojnë edhe kanë qenë ndonjëherë nën hetim. Megjithatë, ashtu siç u tha më lart verifikimi ndaj efektivëve do të jetë shumë i detajuar. Kjo sepse ata duhet të japin të dhëna edhe nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme në formën e një takimi, komunikimi elektronik, ose çfarëdolloj mënyre me ndonjë person të përfshirë në krimin e organizuar. Sakaq, ata do të deklarojnë edhe nëse kanë shkëmbyer para, favore, dhurata apo pasuri me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Në formular përfshihen edhe pyetje nëse efektivi është përdorues i lëndëve narkotike, nëse ka varësi nga lojërat e fatit apo dhe nëse ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit.

Ja pyetjet e dy formularëve të tjerë

Efektivët përveç formularit të kontrollit të figurës, do të plotësojnë edhe atë të pasurisë dhe vetëvlerësimit profesional. Në formularin e pasurisë efektivi do të deklarojë të gjithë pasurinë që disponon dhe datën kur ka marrë detyrën. Kurse në atë të vetëvlerësimit profesional ai do të plotësoj të gjitha gradat. Ndërkohë nëse efektivët u shmangen pyetjeve apo përpiqen të mos jap të dhëna të sakta do i çojnë atë drejt penalizimit pasi përveç përjashtimit nga funksionet do të ndiqen edhe penalisht për shkak se kanë deklaruar të dhëna të rreme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.