Despoti e di që halli i tij nuk ka zgjidhje!

I ka të gjitha pushtetet në dorë, por nuk e ze rehati! E mundon ajo që ka tjetri dhe e ka pa asnjë pushtet në dorë. E mundon ajo se nuk ka njerëz që t’i shkojnë nga pas me sinqeritet, e ndërsa atij i shkojnë nga pas për pushtet dhe para. E mundon ajo që tjetri ka ndjekës të urtë, të ditur, qytetar të mirë, e ndjekësit e tij janë të vrazhdë, brutalë, injorantë e mediokër.
E mundon ajo që tjetri përçon te miqtë dhe armiqtë mirësi, paqe, butësi e dashuri, e ai te ndjekësit e tij përcjell frikë, terror, te miqtë pasiguri. E mundon ajo që tjetri rri indiferent ndaj terrorit të tij, e ai edhe pse është inspiruesi i terrorit dhe frikës sërish ka frikë.
E mundon ajo se tjetri pa pushtet pa para ka ngritur “fron” në zemrat e njerëzve, e ai me të gjitha në duar ka ngritur veç saraje bosh e ngrehina të zymta shpirtërore.
E mundon ajo se tjetri ka patur mundësi të ketë “gjithçka” në dorë dhe ka refuzuar gjithçka, e ai ka gjithçka por ndien se ska asgjë!
E mundon ajo se tjetri nuk lufton më mjetet e tij, por vetëm lutet, e ai lufton pa skrupuj me gjithçka ka në dorë dhe e ndien vetem Donkishot.
E mundon ajo se tjetri nuk kërkon fitore, e ai është i bindur se s’ka për ta fituar kurrë këtë betejë edhe po të ketë dy jetë.
E mundon ajo se se tjetri pas vdekjes ka për të lënë diçka pas, ka lënë frymën, filozofinë, ka lënë shkollën e tij, e ai pas vdekjes së tij do të lerë një “tokë të djegur” dhe do të kujtohet si despot.
Ai i di të gjitha këto, ai e di që ajo gjë që e mundon atë nuk ka zgjidhje dhe për këtë nuk e ze rehati.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



