Taksa e qarkullimit të nervave të shqiptarit
Sonila Meco
Një vëmendje maksimale përpos të tjerave kërkon një deklaratë e sotme e ministrit të financave, se taksa e qarkullimit që po përmendet shpesh së fundmi si kontributi i shqiptarëve, që duhej të destinohej për rrugët, nuk ka shkuar për to.
Sipas ministrit, kjo taksë e mbledhur, me emrin ‘taksë e qarkullimit’ ka shkuar për shlyerje borxhi të prapambetur të qeverisë së shkuar, për pensione, për spitale e shkolla etj, etj.
Pra e thënë ndryshe, taksa për karburantet që paguajmë nuk shkon për rrugë, po në ca gropa të mëdha buxheti krijuar nga paaftësia, që nuk kanë lidhje logjike me sektorin ku mblidhet kjo taksë. Ku saktësisht? Të na e thotë ministri, sepse duhet ta dimë sa spitale e shkolla ka mbajtur kjo taksë, sa borxhe ka shlyer, sa i ka garantuar pensionet.
Pse ka rëndësi ky fakt i pohuar nga ministri? E thjeshtë, taksa e qarkullimit duhej të kish destinacion të ngjashëm me qëllimin dhe nëse do kish shkuar për rrugët, sot nuk do pasohej nga një tjetër si kjo për Rrugën e Kombit. Por e keqpërdorur në destinacione që nuk bëhen të qarta, do të thotë se shqiptarët shtrydhen në shumicë, që të privilegjohen pakica, ata me më shumë të ardhura. Gjykojeni vetë, merren me TVSH-në e biznesit të vogël dhe nuk prekin taksat për më të pasurit.
Si u premtua në 2013-ën me fjalë zemre? ‘Do ulim taksat për 95% të shqiptarëve.’ Ja dhe reagimi i sotëm i ministrit të financave, jo vetëm që taksa e qarkullimit nuk do të ulet, por do vijojë paralel me ato të rrugëve. PPP-të shtohen për të mirën e 5%-shit të shqiptarëve ndërkohë.
Duhet të pyesim sot, ku i kanë çuar paratë e taksës së qarkullimit? Të na e thonë qartë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



