E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama po promovon  frikë dhe  dajak mbi qytetarët
OP-ED

Rama po promovon frikë dhe dajak mbi qytetarët

Çmos kemi thënë me të drejtë për “policinë që duam” të Saimir Tahirit si jarane e kanabizimit të vendit, por për hir të së vërtetës, nuk pati akuza nga qytetarët se prej dhunës së saj të ketë vdekur njeri. Vetëm gjatë muajit maj në Korçë e Shkodër kemi dy raste tronditëse. Enea Ftoi vdiq në paraburgimin e qytetit juglindor. Familjarët e tij akuzuan policinë se e kishte rrahur barbarisht dhe se në trupin e tij kishte shenja dhune shtazarake.

Ardian Kallami nga Vau i Dejës vrau veten sapo doli nga komisariati i Shkodrës. Edhe në këtë rast, e bija e të ndjerit tha se kishte dëshmi filmike se i ati ishte rrahur e trajtuar kafshërisht ne Polici, fakt ky që e çoi në depresion e në vetëvrasje. Po ashtu, pak kohë më parë një tjetër qytetar po në Korçë rrëfeu se ishte rrahur paq nga policët për të pranuar një vjedhje, që nuk e kishte kryer. Këto janë akuza dhe akte tejet të rënda, që po karakterizojnë periudhën e Xhafajt si ministër. Nëse kjo fizionomi e re e Policisë së Shtetit ndërtohet me dijeninë e titullarit të saj për të krijuar imazhin e dorës së fortë dhe terbietit qeveritar, kemi të bëjmë me rënie në diktaturën e proletariatit dhe metodave të hetuesisë së kohës së parë të Xhafajt. Dajaku mbi qytetarët, depersonalizimi i tyre nëpër komisariate, presioni dhe arroganca, e mbi të gjitha vdekja në këto ambiente apo sapo dalin prej tyre, të kujtojnë vetëm një gjë; komunizmin, fashizmin, nazizmin dhe juntat ushtarake të Amerikës Latine. Në demokraci promovimi i frikës shndërrohet në dëshmi e degradimit të saj. Dy fjalët e urta që “Kush të rreh të do” dhe tjetra se “Frika ruan vreshtin”, në kodin e tyre nuk e kishin parashikuar vdekjen e atyre që duhet të të duan dhe t’i gëzohen vreshtit. Autoritarizmi i Policisë mund të interpretohet si qëllim i pastër politik për të frikësuar kundërshtarët politikë të pushtetit si dhe çdo zë kritik apo opozitar.

Paradoksale duket i gjithë ky peizazh i funksionimit të Policisë së Shtetit pas dokumenteve dhe video-përgjimeve mbi të vëllain e ministrit të përfshirë në narkotrafik, që komprometojnë rëndë raportin e ministrit Xhafaj me të vërtetën dhe etikën publike. Kësisoj shfaqen dy standardet e veprimit të kësaj organizate teorikisht me dobi shoqërore. Nga njëra anë dhuna ndaj qytetarëve me derivat vdekjen, e nga tjetra vënia e saj në shërbim të krimit të organizuar duke perifrazuar akuzat e opozitës. Për të dyja këto akuza ende nuk është thënë fjalë e fundit. Ajo e drejtësisë. Po kush do e thotë e si atë? Një sistem drejtësie në kaos me disa gjykata të shkallëve e profileve të ndryshme që nuk funksionojnë e me pjesën tjetër të sistemit grusht bashkuar rreth qeverisë? Personalisht nuk e besoj asnjëherë që Edi Rama ka vullnet që të masakrojë qytetarët e vet apo të lajmërohet për vdekjet e tyre tragjike me subjekt policinë, por kjo nuk e shpëton atë nga përgjegjësia morale e politike, që ato ndodhin gjatë qeverisjes se tij.

Po ashtu dje, gazeta “Panorama”, një institucion serioz i informacionit në Shqipëri, lajmëroi se kishte indicie mbi një survejim të mundshëm të kreut të opozitës Lulzim Bashës. Ky fakt u pranua edhe nga PD e kryetari i saj. Çdonjëri prej nesh uron që të mos jetë e vërtetë se nëse po, shteti ligjor ka rënë. Survejimi i liderit të opozitës do të ishte kalim në despotizëm. Nëse kjo i ndodh atij, ne të tjerëve na ndodh çdo gjë. Edhe nëse nuk rezulton e vërtetë, është e mirëgjetur për të ngulitur psikozën e frikës dhe të hakmarrjes personale e të përdorimit të policisë.

Ndërsa vdekjet janë të vërteta. Mbi to duhet hetim e drejtësi për familjarët, por edhe për shoqërinë që kërkon parandalim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.