E mërkurë, 21 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lali Eri meqë ke shitur vetë fiq nga halli,  freno policet nga hallexhinjtë
Sot

Lali Eri meqë ke shitur vetë fiq nga halli, freno policet nga hallexhinjtë

Nga Urim Bajrami­

Shitësit e misrave, të farave, qepëve etj

Ka kohë që këtu, në Facebook, por jo vetëm, shoh disa video, ku ashiqare policë bashkiakë masin forcën me shitës misrash, farash, qepësh të njoma, e gjithëfarë gjërash, për të mbajtur frymën gjallë.

E dhimbshme deri në palcë është mënyra se si sillen policët me hallexhinjtë. Kam respekt për institucionet e shtetit, por është zhgënjyese e tragjike njëherazi se si sillen me të dobëtin.

I shoh videot dhe pyes veten: A kanë Zot këta individë të dhunshëm e tallës? A janë njerëz dhe a kanë ndjenja, dhimbsuri?

Nuk e di. Siç nuk e di si do veproja, nëse do të isha unë në vend të njërit prej atyre hallexhinjve. E sigurt është që s’kisha për t’ua falur kurrë. Dy duar për një kokë janë, aq më tepër kur bëhet fjalë për bukën e familjes. Në djall gjithçka kur të cenojnë deri aty.

Lali Eri, ti ke shitur fiq dikur. Shisje nga halli, jo nga qejfi. Edhe ata hallexhinjtë që policia jote i tall dhe i dhunon, u merr të fundit mjet mbijetese, nga halli shesin. Jo nga qejfi.

Rikthehu në adoleshencën tënde dhe vëre dorën në zemër. Mblidhi ata policë dhe tregoju se tallja, dhuna dhe arroganca nuk janë dhe s’duhet të jenë pjesë, as sot e as nesër, e Bashkisë që drejton.

Në të kundërt, një ditë Zoti do t’ua kthejë reston aty ku ju dhemb më shumë. Asgjë nuk mbetet pa u paguar në këtë botë!

Lali Eri, se mos harroj.
Para ca ditësh, isha në Ohrin e bukur. Edhe atje, buzë liqenit, me dhjetëra shitës misrash të pjekur. Bashkë me kolegët mia, për disa orë që shëtitëm buzë liqenit, nuk pamë as dhe një polic, bashkie ose jobashkie, që t’i trazonte shitësit. Fare, fare, fare.

Dhe s’besoj se misrapjekësit në Ohër janë më të varfër se këta në Tiranë…

Mirëupjekshim!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.