Analiza/ “Xhisela endet shpirttrazuar nëpër komisariate, jetime e dyfishtë pa prind dhe shtet”
PREÇ ZOGAJ
Moj Xhisela Maloku nga Nikla e Krujës që të paska vdekur babai në vitin 1997 dhe nuk paske vëlla dhe jetuake me nënën dhe motrën. Kam lexuar pardje dhe dje dy dëshmi të tuat për ngjarjen që ka tronditur jetën tënde prej shumë muajsh dhe që po trondit këto ditë krejt politikën me shpërthimin e saj.
Dëshmia e parë
Procesverbali është firmosur nga oficeri i Policisë Gjyqësore, Emiljano Nuhu dhe mban datën 30 korrik 2018.
Dëshmia e dytë është një intervistë dhënë pardje televizionit “Report Tv”, pas denoncimeve të nënkomisarit Emiljano Nuhu.
Në të dyja dëshmitë del në pah, herë qartë e herë hallaktshëm, një fakt shumë i dhimbshëm, shumë i rëndë: që një vajzë e re pa mbështetje, endet shpirttrazuar sa në Fushë-Krujë, në Tiranë, në përpjekjen për të depozituar në Polici një kallëzim penal që të zërë vend, të vërë në lëvizje forcën e ligjit në mbrojtje të denoncuesit të dhunuar e jo të përfundojë më parë se t’i thahet boja, tamam si në një shtet të kalbur kaçakësh, në duart e të denoncuarit. Tri herë ka marrë guximin Xhisela të bëjë kallëzim dhe s’është nevoja të lexosh letrat për të kuptuar se nuk janë kallëzime kundër ndarjes me të dashurin. Nuk mund të bësh kallëzim kundër tjetrit pse po më ndan. Ky kallëzim as bëhet, as merret. Ka bërë kallëzime për ushtrim dhune nga ish-partneri. Edhe presionet për t’i tërhequr kallëzimet për këtë të janë bërë. Sepse dhuna dënohet. Ndarja është vendim i lirë i personit, ligji nuk merret me të.
Tre kallëzime në tre komisariate: në Tiranë e Fushë-Krujë. Të tria herët i ka tërhequr Xhisela. Shpirti i saj ia di. Por edhe lexuesit kanë mundësi të krijojnë një ide në bazë të atyre që ka lënë të shkruara e të thëna në kalvarin e saj të kësaj vere.
Dy dëshmitë e cituara më lart kundërshtojnë njëra-tjetrën në një pikë kyçe: Në arsyet e tërheqjes së kallëzimeve që janë njëkohësisht edhe arsyet e përsëritjes së tyre, deri në momentin kur vajza ka parë se rrugët janë të mbyllura.
Në procesverbalin e botuar dje në gazetën “Panorama online” Xhisela rrëfen ngjarjen e datës 21 korrik të këtij viti. Është dita kur ka bërë denoncimin e radhës në Komisariatin numër tre në Tiranë. Por kur kthehet në Fushë-Krujë do të detyrohet ta tërheqë kallëzimin. “Më mori në hotel me forcë, duke me bërë presion me anën e pistoletës”, thotë ajo për ish-të dashurin e saj, Rexhep Rraja, djali i deputetit Rrahman Rraja. “Gjatë kohës në hotel me gjuajti me shpulla, me grushte, më drejtoi pistoletën. Më dogji me cigare në kofshë dhe me goditi në pjesën e kokës me pistoletë. Mua më ra të fikët dhe u përmenda më vonë… Rreth orës 20:00 kanë ardhur të banesa ime në fshatin Nikël shtetasi Rrexhep Rraja, Ramazan Rraja dhe shtetasi Redjan Rraja dhe më kanë marrë me zor, duke me thënë, na hape punë, për çfarë ke shkruar përsëri në Komisariatin e Policisë nr.3 në Tiranë dhe na ke kallëzuar. Unë i mohova dhe u thashë atyre nuk kam qenë në Polici. Rexhepi më kapi nga flokët dhe me gjuajti me shkelma dhe më futi në makinën e tij dhe më thoshte që do të tërheqësh denoncimin ose do të të vrasim, më vendosi në bark pistoletën, e mbushi dhe më tha që sot nuk ke shpëtim se na ke hapur shumë punë k…ë e m…t”.
Po atë mbrëmje paraqitet në Stacionin e Policisë në Fushë-Krujë dhe tërheq kallëzimin e bërë në Tiranë.
Për të njëjtën ngjarje, në intervistën që i ka marrë “Report Tv” pardje, pra, dy muaj më vonë, Xhisela jep këtë version: “Kisha një konflikt me Rexhepin, shkova në Komisariatin numër 3 në Tiranë ku bëra edhe kallëzimin… Në orën 7:00 pasdite shkova të tërhiqja kallëzimin te Komisariati në Fushë-Krujë. Oficer ishte Gentjan Çitozi. I tregova ngjarjen dhe i thashë dua të tërheq kallëzimin dhe ai mori deklaratën time. Unë u sqarova me personin në fjalë dhe donim ta mbyllnim të dy këtë gjë”.
* * *
Nuk është hera e parë as e fundit që denoncuesit apo dëshmitarët e ngjarjeve të rënda apo kriminale ndërrojnë fjalët, tërheqin dëshmitë, kallëzimet. Arsyet janë të shumta, që nga pendimi apo shtytjet për zgjidhje të buta me marrëveshje me të denoncuarit e deri te kërcënimet dhe dhuna e egër e këtyre të fundit.
Mua do më dukej mizore ta pyes Xhiselën sot, pse i ke ndërruar fjalët. Edhe kjo pyetje me aromën e gjykimit do t’i duhej asaj! Na e ka lënë ne ta gjejnë të vërtetën në rreshta e midis rreshtave dhe të besojmë atë që duam. Ia ka lënë Prokurorisë. Kjo vajzë e pambrojtur, e dhunuar – përndryshe pse do të shkonte tri herë për të bërë kallëzime në Polici dhe pse Policia, së paku në një rast, më datë 21 korrik, do të nxirrte urdhërarresti për djalin e denoncuar, urdhërarresti që nuk do të ekzekutohej, pasi i kërkuar nga Policia, djali i deputetit, do të vepronte më shpejt. Nuk do të priste t’i hidhnin prangat, por do ta çonte ai vajzën si “të penduar” në Polici. Jo vetëm djali i deputetit. Një frotë e tërë të zgjedhurish, zyrtarësh, oficerësh e banditësh do të vepronin më shpejt se ligji dhe kundër ligjit. Xhisela e shkretë, kjo vajzë e braktisur, e tradhtuar nga shteti i vet, do të përballej pas çdo denoncimi me hakmarrjen e frotës. Një oficer tullac që ajo nuk ia përmend emrin, duke e parë me njolla gjaku, do t’i drejtohej me gjuhën tipike të shërbëtorit servil të kriminelëve me funksione dhe pa funksione shtetërore: “Kush të do, të rreh”.
Nëse do të pyetesha sot cilin variant mes dy dëshmive kontradiktore te Xhiselës do të doje të besoje, sinqerisht e them dëshminë e dytë, variantin e pardjeshëm në “Report Tv”. Për ndërgjegjen qytetare të çdo njeriu normal është më e lehtë të pranojë se një vajzë e re, sado fatkeqe, nuk është në terezi se sa të pranojë turpet zyrtare dhe shoqërore të kësaj historie.
Por nëse do të pyetesha, cili variant mes dy dëshmive kontradiktore është më i besueshëm, do të thosha: Më i besueshëm dhe më të besueshëm janë kallëzimet që vajza ka bërë në Polici, kur i dhembnin plagët dhe kur shpresonte te ligji dhe e drejta. Nëse dikush do më bindte me fakte dhe arsyetime të shëndosha për të kundërtën, vetëm do më lehtësonte dhe do t’ia dija për nder. Sepse, siç e ceka më lart, është shumë e rëndë të shohim se banditizmi ka marrë timonin në këtë farë feje dhe individi pa mbrojtje e pa mbështetje është një leckë.
Unë s’mund ta di, a ka qenë Taulant Balla në Stacionin e Policisë së FushëKrujës, kjo le të dalë nga hetimet që ndoshta kanë nisur. Por kjo, për mua, është sekondare përkundrejt trajektores, që ka ndjekur fati i vajzës jetime përballë njerëzve që sot janë pushteti i Edi Ramës, pushteti në Krujë. Kjo trajektore tragjike del e tepron për të ndërtuar një temë të madhe opozitare. Në politikë, një hamendje rrëzon një të vërtetë. Një gënjeshtër rrëzon tri të vërteta. Kështu na thuhej në trajnimet për komunikimet publike në fillimet e demokracisë. Dhe unë i kam besuar këto sentenca. I kam parë e i shoh të provuara sot e gjithë ditën.
“Më kanë marrë me zor”, përsërit disa herë Xhisela në procesverbalin që mban datën 30 korrik. Kjo shprehje më kujton fjalë për fjalë personazhen e romanit tronditës me titullin “Engjëlli im” të shkrimtarit kubanez Guilermos Rosarios. Quhet Fransina. Edhe atë e marrin me zor në botën e dhunës, lakmive, interesave. Nuk është vendi të ritregoj romanin. Kam shkruar dikur për të në gazetën “Mapo”. Xhisela jonë duhet të ndihmohet sot, të mos e marrë më me zor askush, askund. Babanë nuk e gjen më, por shteti, ky që ka mbetur, duhet ta gjejë e marrë në mbrojtje menjëherë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



