E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A duhet të jetë Basha një Navalny?!
Lajme

A duhet të jetë Basha një Navalny?!

Akoma pa u mbyllur plotësisht procesi i numërimit të votave dhe publikimit të rezultateve të kandidateve të opozitës në zgjedhjet e së dielës, dy a tre zëra relativisht të rëndësishëm të Partisë Demokratike, të cilët kurbën e kontributit e të bërit opozitë kundrejt pushtetit të sotëm e kanë pasur në ulje prej kohësh, janë shfaqur duke provokuar në opinionin publik dhe ndoshta brenda strukturave të PD, idenë që kryetari aktual, z. Lulzim Basha, duhet të japë dorëheqjen.

Argumenti është se PD nuk fitoi zgjedhjet, ku të tjerë nëpër studio televizive vazhdojnë edhe më tej, duke na sjellë në vëmendje dorëheqjen e z. Berisha në vitin 2013 apo z. Nano në 2005, menjëherë pas humbjes së pushteteve respektive. Nuk do të isha objektiv në gjykimin dhe opinionin tim nëse do të isha në listën fituese të Qarkut Lezhë, por diku nga fundi ku Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë vendimin e KAS-it, duke mos pasur mundësi të kontribuoja direkt në zgjedhje, për aleancën PD-AN.

Është e lehtë të bësh deklaratë të tillë si: “Kur humbet, jepet dorëheqja”, “kështu ndodh edhe jashtë”, “edhe Sali Berisha dha dorëheqjen në 2013” e të tjera si këto, por në një moment historik të vështire për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike në veçanti, duhet një analizë e drejtë, e thellë, gjithëpërfshirëse, e shumë faktorëve të rëndësishëm të jetës politike opozitare shqiptare, jetës publike po ashtu, të cilët vërtet besojnë që numri i mandateve të fituara nga “Aleanca e Heshtjes” PS-PSD është dhe duhet të ishte vullneti i lirë i sovranit, e ku më pas të vijojë me një strategji të mirorganizuar, të shpejtë dhe efikase.

Nuk është e drejtë të heqësh paralele mes Sali Berishës që humbi zgjedhjet si Kryeministër i Shqipërisë pas 8 vitesh pushtet, dhe Lulzim Bashës si lider i opozitës që nuk fitoi zgjedhjet e 25 prillit 2021, në momentin më të vështirë për një parti politike opozitare nga 1991 e deri më sot. Me këtë s’dua të them që shqiptarët duhet të presin Bashën të japë dorëheqjen vetëm kur të humbë zgjedhjet si Kryeministër i Shqipërisë, sado vonë të shkojë!

Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për përdorimin që i bën Partia Socialiste, qeveria e saj, institucioneve shtetërore dhe njerëzve pranë tyre, ku me mjete antiligjore dhe jodemokratike që bien ndesh me të drejtat dhe liritë e njeriut, arrijnë duke deformuar verdiktin e popullit shqiptar, aq sa sot jemi ambientuar me këtë situatë, ku konstatimet e organizmave ndërkombëtare janë kthyer thjesht në një formalitet e asnjë instancë e pushtetit nuk mban përgjegjësi.

Mjafton kjo për të mos besuar më që çdo qeveri që qëndron në pushtet me këtë formë, është e predispozuar të jetë joefektive, arrogante, korruptive dhe jodemokratike. Por, në të njëjtën kohë, jo sot, por në kohë reale, kam pasur frikë nga pasojat që mund të vinin nga vendimet e opozitës të tilla si: Reforma Territoriale apo dorëzimi i mandateve në Kuvend ku opozita edhe u tradhtua nga miqtë e saj të huaj, pasojat e të cilave ajo vuan sot. Ka qenë diskutim i shpeshtë edhe para 25 prillit, nëse kush mund ta zëvendësonte zotin Basha si lider i Partisë Demokratike.

Gjithmonë kam parë vështirësi nëse dikush duhej t’i përgjigjej ne mënyrë hipotetike pyetjes, të cilën vetë ata shtronin. Zoti Basha mund të mos jetë lider me karakteristika të ngjashme me Fatos Nanon, Sali Berishën apo Edi Ramën, të cilët janë bërë tërheqës dhe adhurues për shumë prej shqiptarëve, të cilët janë brumosur me psikologjinë nga të jetuarit në komunizëm e të tërhequr pas udhëheqësit.

Zoti Basha, thjeshtësisht është modeli i një qytetari elitar, i brezit të rinjve shqiptarë, i shkolluar në Perëndim, shembull i një familjari dinjitoz, ku hyri në politikë si kryetar i KOP-it, organizatë e PD të cilën edhe sot pas 16 vitesh e kujtojmë për mirë duke kontribuar për ardhjen e PD në pushtet në vitin 2005. Tre herë ministër, ku në dy prej tyre arriti histori kulmore suksesi, aktiv dhe tërheqës në seancat plenare si deputet, autoriteti i parë politik i rëndësishëm i PD, ku pas Besnik Mustafajit, Spartak Ngjelës dhe Sokol Olldashit, mundi për herë të parë Kryeministrin e sotëm, Edi Rama, në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.

Madje, si arkitekt apo urbanist, pa frikë mund të them që në mesataren e gjërave të bëra mirë, të bëra keq e madje dhe me pasoja të rënda apo të pabëra, z. Basha rezulton të ketë menaxhuar me mirë Tiranën se zoti Rama dhe zoti Veliaj si dy pikat më të forta të mbështetjes për bazën e PS.

Pa folur më herët për performancat e tij në debatet televizive, me politikanët më të lartë të PS apo dhe në mënyrë frekuente në studiot e televizioneve publike në panel përballë gazetarëve profesionistë, qartazi mbështetës të PS, duke treguar njohje të thellë në të gjitha fushat e deri te fjalimet e tij të gjata në publik me përmbajtje, oratori dhe entuziazëm.

Lulzim Basha është lideri i opozitës në një vend ish-komunist, ballkanik, me rendësi strategjike si Shqipëria, ku ai ka mbështetjen dhe simpatinë e Brukselit dhe Uashingtonit. Këtë e dëshmoi edhe deklarata e djeshme e ambasadores amerikane, Yuri Kim.

Në këtë pikëpamje është një investim gati 15-vjeçar i tij, që përveçse nuk duhet shpërdoruar, duhet shfrytëzuar për të përmirësuar situatën e për ta sjellë PD me herët në qeverisjen e vendit në krahasim me një tjetër autoritet politik të së djathtës, që do kohën e vet natyrale të gjatë për t’u bërë lider, i cili do ta çonte PD në fitore.

Cila do ishte, sipas meje, rruga më e duhur që duhet të bëjë PD dhe opozita në këto momente? Së pari, duhet bërë një analizë e detajuar e rezultateve, strategjisë që zgjodhën dhe elemente të tjerë, si p.sh., duke krahasuar numrin e votave të marra së bashku të PDAN, LSI, partive të tjera të vogla të djathta, 90000 fletët e pavlefshme kundër numrit të votave të PS-PSD, nga ku mund të prodhoheshin mandate me konfigurim tjetër.

Së dyti, akoma pa u ftohur plotësisht deri në pesimizëm qoftë strukturat, qoftë elektorati i partive ppozitare, PD, lideri Basha duhet të riorganizojë partinë, të bëjë një hapje akoma më të madhe, duke pranuar rrymat e reja apo partitë e porsathemeluara, që hynë me vete në këto zgjedhje apo individë që nuk garuan, me qëllim të maksimalizohet numri i votuesve potencialë.

E gjithë kjo, pasi Gjykata Kushtetuese shumë shpejt duhet dhe mund të marrë një vendim rreth Zgjedhjeve Lokale të 2019, njëkohësisht mund të jetë edhe vetë PS, Edi Rama, që tani pas sigurisë që i jep pushteti i tij aktual qendror, e të kërkojë të mbyllë debatin politik për zgjedhjet lokale, duke shpërndarë pushtet edhe në opozitë.

Por, nga ana tjetër, zoti Basha menjëherë pas analizës dhe hapjes, duhet të kërkojë të nisë debatin politik për zgjedhjet lokale të parakohshme me qëllim testimin real të votave të opozitës dhe pushtetit pas 25 prillit, ndalimin e pushtetit absolut të 61 bashkive të majta, nëpërmjet kryetarëve dhe Këshillave Bashkiakë, për rrjedhojë dhe këshillave të qarqeve, të cilat sollën ndikim në zgjedhjet e 25 prillit.

Kjo do të bënte të mundur që me një rezultat të mirë të opozitës në zgjedhjet lokale të parakohshme, zoti Basha do shuante debatin e zëvendësimit të tij si lider dhe do të kishte të drejtën të kërkonte zgjedhje politike të parakohshme.

*ARKITEKT

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.