Ministri i ri “teknik” i Brendshëm i propozuar nga Lulzim Basha është kolonel Dritan Demiraj. Një ish ushtarak që në vend që të kishte disiplinën në gjak, e bëri “baltë” aq sa qëndronte më shumë jashtë vendit se sa në Shqipëri, ndërkohë që paguhej në forcat speciale si drejtues. Dhe për këto shkelje ligjore ka marrë dhe penalizimin duke e larguar sipas ligjit për Forcat e Armatosura nga ushtria. Formimi i tij i mangët arsimor, kulturor dhe shoqëror ka bërë që dhe pas largimit nga FA të ishte gjithnjë në të gjitha rrjetet sociale, herë duke kërcënuar kryeministrin Edi Rama, herë Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, herë duke kërcënuar se do të sulmojë Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi. Madje nganjëherë ka deklaruar se duhet të sulmojë dhe Greqinë dhe se ishte gati të vihej në krye të trupave që do ta sulmonin, paçka se Greqia është një vend i NATO-s dhe që disa nga trajnimet një ditore të Demirajt të përfshirë në CV-në e tij të “zgjeruar” janë pikërisht në kryeqytetin grek Athinë.
Por një lajthitje e tillë është objekt i mjekëve të specializuar që duhet të merren me gjendjen mendore të kolonelit Dritan Demiraj, luhatjet e tij emocionale dhe orientimin e tij të rëndë ndaj përdorimit të dhunës. Për të cilin drejtësia amerikane e ka dhënë verdiktin e saj: për shkak të përdorimit sistematik të dhunës ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij, ka vendosur urdhër mbrojtjeje ndaj tij. Madje nuk e lejojnë t’ju afrohet as 200 metra. Ka ushtruar dhunë sistematike sa bashkëshortja e tij tashmë jo vetëm është nën mbrojtjen e drejtësisë amerikane, por është dhe nën një trajtim të fortë mjekësor. Por këto janë çështje personale të Demirajt, familjes së tij dhe drejtësisë amerikane.
Problemi ynë është se për shkak të një marrëveshjeje politike mes Ramës dhe Bashës ky njeri me të gjitha kapacitetet e tij negative nga sot do të jetë për një muaj apo më tepër ministër i Brendshëm i Shqipërisë.
Me këtë “arsenalin” e tij të dhunës, të cilin e manifeston dhe përmes videove dhe fotove që hidhen në adresën e tij në rrjetet sociale. Madje dhe një ditë përpara se të propozohej nga Basha kreu i opozitës, si një ministër “teknik” i Brendshëm. Do të jetë pikërisht në mbledhjet e qeverisë “Rama”, në ambientet e kryeministrisë ku më 21 janar të vitit 2011, i veshur civil ka qënë në zyrën e Sali Berishës, atëkohë kryeministër i vendit.
Kolonel Dritan Demiraj, në shkelje të Kushtetutës ka qënë civil në zyrën e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ka marrë urdhëra prej tij. Një ushtarak nuk merr urdhëra nga Kryeministri në asnjë kohë, pasi është në shkelje të Kushtetutës sepse komandën zinxhir e ka nga Presidenti i Republikës, ministri i Mbrojtjes dhe komandat më poshtë. Por Kolonel Demiraj ishte aty për të kontribuar me trupat speciale kundër opozitës së atëhershme të drejtuar nga Edi Rama, ku në bulevard përballë kryeministrisë u vranë 4 të pafajshëm. Pikërisht në zyrën ku deshi të dilte ‘vullnetar’, Demiraj tashmë do të jetë përballë Ramës, kundërshtarit të tij. Dhe pavarësisht se u lirua nga detyra, për të gjitha shkeljet e mundshme, ka dhe dy padi në gjykatë, kolonel Dritan Demiraj nuk u nda nga jeta e dhunshme dhe e jashtëligjshme.
Deri në momentin kur u propozua për ministër i Brendshëm ka pasur një arsenal armësh ushtarake në shtëpi, pa përjashtuar rrobat, gavetat dhe mjetet e tjera ushtarake me të cilat ka mbajtur një dyqan gjallë duke shitur pajisje të tilla. Ndërkohë që ka dhe një kompani sigurie në emër të të vëllait, për të ushtruar dhe pasionin e tij për armët, justifikuar dhe arsenalin e armëve në shtëpi dhe pastruar ndonjë lek të zënë gjatë misioneve jashtë vendit. Ky është koloneli që është bërë Ministër i Brendshëm. Në të ardhmen do të ketë lajme të tjera./Pamfleti.com



