E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A mund të jetë Veliaj një “Macron” shqiptar?
OP-ED

A mund të jetë Veliaj një “Macron” shqiptar?

AKIL KRAJA  akil_kraja

Ish-ministër i Presidentit Hollande, Macron e braktisi atë duke kandiduar i vetëm për garën presidenciale franceze dhe duke krijuar një parti të re, të “qendrës”.

I dalë nga radhët e Partisë Socialiste franceze, ai arriti që brenda pak muajsh të fitojë jo vetëm presidencialet, por dhe zgjedhjet legjislative me një parti të sapokrijuar.

Rezultati në terma numerike? Në vitin 2012, Partia Socialiste franceze mori 289 deputetë nga 577 (51%). Në zgjedhjet e 2017- ës, ajo u rrudh në vetëm 29 deputetë. Kjo ishte vdekja e një partie shekullore.

Ndërkohë, partia e Macron, e sapokrijuar, duke garuar për herë të parë në një garë elektorale, arriti të mbledhë 306 deputetë. Një shifër rekord. Kjo ishte fitorja e një strategu të lindur.

Macron arriti të ndërtojë një lëvizje “të qendrës” mbi një trup elektoral të “majtë”.

Për të arritur këtë ekuilibër, ai u detyrua të përfshijë gjithashtu me dhjetëra personalitete të së djathtës, deri dhe Kryeministrin e tij, çka nuk kaloi pa impakt, duke e rrudhur edhe Partinë Republikane franceze.

Ku janë sinergjitë mes Veliaj dhe Macron?

Veliaj, themelues i “Mjaft”, u njoh në arenën publike shqiptare kryesisht nëpërmjet opozitarizmit ndaj qeverisjes socialiste të Fatos Nanos. “Mjaft” ishte një lëvizje politike dhe aspak e shoqërisë civile, çka u vërtetua shumë shpejt nga kalimi i pothuajse të gjithë ekipit drejtues të “Mjaft” në partinë e sapokrijuar, “G99”.

Kjo parti e re, me 99 emra të shpërndarë aktualisht në pozicione kyç të administratës dhe jetës publike të së majtës shqiptare, rezultoi të ishte një dështim i thellë. Arsyet ishin të qarta, i mungonte një trup elektoral si dhe burimet organizative të një partie tradicionale.

Zgjidhja e vetme për të arritur pushtetin ishte integrimi në një parti ekzistuese. Partia Socialiste e rilindur nën drejtimin e Edi Ramës mund të përfaqësonte një mjet ideal. Mjaft & G99 ndihmuan në rrëzimin e PSsë nga pushteti, pikërisht që ta kishin më të lehtë ta integronin atë. Dhe ia dolën.

Veliaj, dikur një ndër kundërshtarët më të zjarrtë të qeverisjes socialiste, arriti të kthehet në ministër të saj dhe në kandidatin socialist për kryeqytetin e vendit. Një transformim që vazhdon ende e kësaj dite, teksa të shumtë janë ata që shohin tek ai pasardhësin e Edi Ramës. Partia e Nanos u kthye në partinë e armikut të tij.

Qeveria socialiste aktuale është sot në shumicë, e përbërë nga individë të panjohur nga strukturat politike të saj, individë pa kontribute dhe pa angazhim në zhvillimin e saj. Po kështu, lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Bashkiak Tiranë, prezantuar gjatë fiaskos së 23 marsit, paraqiti një ekspoze individësh të ngjashëm. Si në nivel qendror, ashtu dhe në atë lokal, elektorati dhe aktivistët e majtë duken të “papërfaqësuar”.

Dhe këtu qëndron thelbi i krahasimit mes dy rasteve, në të dy vendet.

Rama, ashtu si Presidenti socialist francez, Hollande, po përgatit tërheqjen e tij, duke e lënë në një krizë të thellë të majtën. Rama, ashtu si dhe Hollande, arritën nivele rekord të pakënaqësisë popullore. Veliaj, ashtu si Macron, kërkon të kapitalizojë në këtë moment. Në këtë moment tranzicioni, nëse Veliaj dështon të kapë plotësisht frenat dhe “timonin” e Partisë Socialiste, ai nuk do të hezitojë të krijojë një parti të re duke i lënë PS-së së vjetër njollën e kriminalizimit, kanabizimit dhe të korrupsionit të mandatit të shkuar.

Është ky moment dhe pikërisht kjo hapësirë përfaqësimi, që mund të shërbejë si themeli i një lëvizje të re të Veliajt. Një lëvizje që mund të synojë të mbledhë pakënaqësitë nga e majta, por dhe nga e djathta, votuesit gri, të rinjtë dhe çdokënd që mund të tundohet nga një lëvizje në fasade, “pragmatiste e qendrës”.

Ashtu si Macron, Veliaj mund t’ia dalë të ndërtojë një lëvizje “të qendrës” mbi një kufomë elektorale të “majtë”. Veliaj, me shumë gjasa, do ta vrasë PS-në, në vijim të asaj çka bëri para-ardhësi i tij.

Por, realiteti është krejt ndryshe. Veliaj mund të synojë të kopjojë strategjinë e Macron, por ai nuk ka kalibrin e tij.

Ndërkohë që politikisht kanë ngjashmëri, ndryshimet janë tejet të mëdha si në rrafshin e arsimimit, ashtu dhe në atë profesional. Macron është arsimuar në shkollat më cilësore franceze, ka një eksperiencë në administratën publike dhe më pas në sektorin financiar. Ndërkohë që Veliaj ka një arsimim mediokër, asnjë eksperiencë në administratën publike dhe vetëm një karrierë në sektorin e OJQ-ve.

A mund të jetë Veliaj, një “Macron” shqiptar, duke përfaqësuar fundin e së majtës shqiptare? Vetëm koha do ta tregojë…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.