E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
A të përdhunuan edhe sot e dashuria ime në ditën e të dashuruarve?
Publik News

A të përdhunuan edhe sot e dashuria ime në ditën e të dashuruarve?

Mirëmbrema Zonja ime!

Mirëmbrëma e bukura ime ti!

Si ia kalove sot zonja ime, ditën e ngarkuar me ujë qielli?

A pushoi Dimri rehat sot tek sytë e tu të mbushura me re të pamukta që mbanin zi me pesë yje?

A të kanë shkruar sot zonja ime, shtetarët e përdalë të vendit tim?

A të propozoi dikush sot zonja ime për martesë, për fejesë a për bashkëjetesë?

A të kanë blerë shtetarët e përdalë të këtij vendi ndonjë gjerdan ari për lëkurën e bardhë të kraharorit tënd të lëmuar, të populluar plot me kodrina të mahnitshme kockash të imta zonjash?

A u kujtuan dashnorët sot zonja ime, të blejnë ndonjë perlë për veshët e tu të bukur, me të cilat ke dëgjuar prej shumë kohësh vetëm ofshama derrash shteti të eksituar që të kanë përdhunuar historikisht, pasi janë shqepur së ngrëni prej plaçentës tënde të bukur?

A i ka shkruar ndonjë shtetar sot zonja ime syve të tu të bukur bojë dhimbje?

A u kujtua sot dikush zonja ime, ta blejë një golf për fytin tënd të hollë që ta mbajë ngrohtë në këto ditë të acarta të historisë ku burrat e shtetit kujdesen vetëm për rrylin e tyre dhe fytin e dashnoreve?

A të ftuan derrat e shtetit për drekë e dashura ime, apo shkuan të hanë me dashnoret me paratë e vjedhura tek xhepat e fustaneve të tu të bukur që t’i kam qepur me kapilarë bojë gjaku?

E shtrenjta ime!

Kam nderin dhe kënaqësinë t’iu shpreh gadishmërinë time të plotë që t’i shkul aq flokë sa më kanë mbetur ne koke dhe ta gërvish fytyrën time me thonj deri në gjakosje, si shprehje e pafuqisë time që nuk po i mbroj dot qerpikët e tu prej reshjeve të dhimbjes dhe barkun tënd te rrumbullaket prej ujërave të ndyra që t’i lëshojnë me presion përdhunuesit e tu të dehur dhe te pushtetshëm.

E shtrenjta zonja ime!

Të kam jetuar Shkurt, 28 vite të brishta dhe po t’u shtoj atyre 14 dashuri burrash te pjekur, behen plot 42 vite te mbushura me minutat dhe sekondat e jetës time. Unë vrapoj pas tyre ndërsa ato vrapojnë pas teje si të çmendura.

E shtrenjta zonja ime!

Të lutem të më tregosh me sinqeritetin që i ka hije madhërisë Tuaj;

A t’i futën duart edhe sot?

A të përdhunuan edhe sot e dashuria ime në ditën e të dashuruarve?

A e shitën edhe sot derrat e pushtetshëm naftën, bakrin, floririn, kromin, hekurin, nikelin, bronxin dhe asbestin me të cilat është i mbushur barku yt i bukur?

A tentuan edhe sot zuzarët e pushtetshëm qe nuk kam fuqi t’i ndaloj të shkulin prej shpatulles dhe kofshës tënde të bardhë që të përgatisin me to gostitë e fqinjëve të pangopur?

A provuan edhe sot zonja ime, në ditën e dashurisë, përdhunuesit e tu të pushtetshëm që të hedhin ndonjë firmë për shitjen e ujërave të tua të kristalta, qe plasen dikur dhe linden aq shujme te perdale?

A të përgjuan policet edhe sot zonja ime, fare pa vendim gjykate a prokurorie, kur më ankoheshe me zë të ulët në telefon, për vulat e zeza të trupit tënd të rrahur dhe për arratisjen e fëmijëve të tu, sepse nuk ke më me çfarë t’i ushqesh?

Sepse gjinjtë e tu të bukur nuk pikojnë qumesht me?

Më thuaj sot, o me e bukura e grave të përdhunuara të tokes, sa konçesione e PPP u dhanë sot nga trupi yt i bukur?!

A mund të me thuash e bukura e dheut se cili prej oligarkëve e ka radhën të flere me ty dhe të të përdhunojë sonte në natën e të dashuruarve?

Të lutem të regjistrosh tek kadastra e zemres time letrat e pronesise time ndaj te gjithë trupit tënd, sepse çdo ditë e çdo natë e shkulin dhe e shesin një pjesë të gjinjve tu, të fytyrës tënde, të vetullave te tua, te qerpikëve të tu, të flokëve te tu, të gishtërinjve të tu, të kembeve tua të bukura të zbukuruara me thonj shqiponjash dhe manikyr kuq flakë. Dua drita e syve të mi, që ato prona të jenë në emrin tim që kur të zgjohen burrat e dheut t’u tregoj atyre pronësine e vertete të çdo pjese të trupit tënd të perdhunuar.

Tani, në fund fare, të lutem zonja ime!

Të lutem të më tregosh adresat e të gjithë meshkujve që të duan më shumë se une.  Me trego që të shkoj dhe t’u shpreh mirënjohjen time të thellë që të duan kaq shumë, t’ua puth ballin dhe pastaj të vdes  i helmuar. Nuk do ta duroja dot zonja ime, që një burrë të të dojë më shumë se unë!/ Puls7.com

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.