E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Abuzimet te Rana e Hedhun, Prokuroria e Lezhës mbyll hetimet
Lajme

Abuzimet te Rana e Hedhun, Prokuroria e Lezhës mbyll hetimet

Dërgohen për gjykim 9 persona

Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim një dosje penale që lidhet me ndërtimet pa leje në zonën turistike të Ranës së Hedhun në Shëngjin. Në këtë çështje janë marrë të pandehur nëntë persona, përfshirë ish-zyrtarë të institucioneve shtetërore, një efektiv policie, një ndërtues dhe dy inxhinierë ndërtimi.

Sipas materialeve hetimore, tre ish-drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, Gentian Malota, Artur Shabaku dhe Admir Maxhani, akuzohen për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Prokuroria dyshon se ata kanë vepruar në kundërshtim me detyrimet ligjore duke mundësuar procedura që favorizonin ndërtimin dhe më pas legalizimin e objekteve të ngritura pa leje në këtë zonë.

Me të njëjtën akuzë pritet të përballen në gjykatë edhe dy ish-drejtues të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Kol Malaj dhe Flori Gjini, si dhe polici i zonës së Shëngjinit, Martin Ndoka. Sipas hetimit, ata dyshohet se nuk kanë ndërhyrë për të ndaluar aktivitetin e paligjshëm ndërtimor, pavarësisht detyrës institucionale për kontrollin dhe mbrojtjen e territorit.

Në këtë dosje është marrë i pandehur edhe ndërtuesi Pjetër Tuçi, i cili akuzohet për “ndërtim të paligjshëm” dhe “falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”. Dy inxhinierët e ndërtimit, Luiza Bala dhe Hekuran Xhina, përballen gjithashtu me akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, pasi dyshohet se kanë hartuar ose përdorur dokumentacion teknik të pasaktë për të mbështetur procedurat e mëtejshme të legalizimit.

Referuar dosjes së procedimit penal nr. 135 të vitit 2025, hetimet janë drejtuar nga prokurorja Iva Harka. Sipas përfundimeve të saj, nga provat e mbledhura rezulton se të nëntë personat e përfshirë kanë konsumuar elementë të veprave penale për të cilat akuzohen.

Tashmë çështja i kalon gjyqtarit të seancës paraprake, Lirim Bulica, i cili do të shqyrtojë materialet dhe do të vendosë nëse dosja do të kalojë për gjykim të plotë në gjykatë.

Nga hetimet ka rezultuar se në zonën e Ranës së Hedhun është ndërtuar pa leje një kompleks ndërtimor, ndërsa më pas është ndjekur një procedurë legalizimi që dyshohet se është kryer në kundërshtim me ligjin, duke përfshirë dokumente dhe veprime administrative që po hetohen si të falsifikuara ose të kryera në shkelje të detyrës.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.