E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Adi Hila e pranon se ishte në dijeni të kamerës së fshehtë!
Lajme

Adi Hila e pranon se ishte në dijeni të kamerës së fshehtë!

Hetimi i Policisë së Tiranës për videot intime të shpërndara në internet, ku shfaqet edhe kompozitori Adrian Hila, po hyn në një fazë të re, ndërsa autoritetet kanë nisur të mbledhin dëshmi nga personat që lidhen me materialet.

Adrian Hila nuk është marrë ende zyrtarisht në pyetje nga policia. Megjithatë, ai ka pasur komunikim paraprak me agjentët e Krimit Kibernetik, të cilët e kanë kontaktuar për të marrë shpjegime mbi rrethanat e çështjes.

Nga komunikimi paraprak mësohet se kompozitori është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me hetuesit dhe të japë deklarimet e tij. Ai ka paraqitur veten si një prej personave të prekur nga publikimi i materialeve, duke mohuar se ka qenë ai që i ka nxjerrë videot në internet.

Në të njëjtën kohë, Hila ka bërë të ditur se kishte dijeni për faktin që materialet ishin filmuar, por nuk kishte dijeni se ato do të publikoheshin dhe do të shpërndaheshin më pas në internet.

Për këtë arsye, policia pritet ta marrë zyrtarisht në pyetje për të sqaruar në mënyrë të detajuar rrethanat e regjistrimit, ruajtjes dhe publikimit të materialeve, si dhe për të përcaktuar se si ato kanë përfunduar në internet.

Sipas të dhënave të bëra publike, Hila pritet të paraqitet në polici më 2 tetor.

Në hetim edhe katër persona të tjerë

Krahas kompozitorit, hetimi është shtrirë edhe te katër persona të tjerë që shfaqen në materialet e publikuara online.

Policia ka pasur komunikim me ta për të mbledhur dëshmi mbi mënyrën se si janë krijuar dhe shpërndarë videot. Dy prej këtyre personave raportohet se ndodhen në gjendje të rënduar psikologjike pas publikimit të materialeve, ndërsa dy të tjerë kanë kërkuar kohë përpara se të paraqiten për të dhënë deklarimet e tyre.

Deri në këtë fazë, nga ana e Adrian Hilës nuk është bërë e ditur një kallëzim penal i depozituar në polici. Ajo që është komunikuar është gatishmëria e tij për të bashkëpunuar me hetimin dhe për të dhënë shpjegime mbi çështjen.

Katër vepra penale nën hetim

Policia e Tiranës ka regjistruar hetimin për katër vepra penale që lidhen me mënyrën e sigurimit dhe shpërndarjes së materialeve.

Në fokus janë përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike, ndërhyrja në të dhënat kompjuterike, ndërhyrja e padrejtë në jetën private dhe keqpërdorimi i pajisjeve.

Hetuesit po përpiqen të përcaktojnë zinxhirin e plotë të ngjarjes, nga momenti i regjistrimit të materialeve deri te publikimi dhe përhapja e tyre në platforma të ndryshme online.

Videoja ishte publikuar fillimisht në vitin 2024

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me kohën e publikimit fillestar të videos.

Sipas të dhënave të bëra publike, materiali është filmuar më 11 nëntor 2024 dhe është shfaqur për herë të parë online më 9 dhjetor të po atij viti, në një platformë për të rritur ku përmbajtja ofrohej kundrejt pagesës.

Pas daljes së materialit në hapësira të tjera të internetit dhe pas vëmendjes së marrë në mediat shqiptare, shikueshmëria e tij është rritur ndjeshëm.

Pikërisht mënyra se si videoja ka kaluar nga një platformë me akses të kufizuar drejt shpërndarjes masive online është një prej elementeve që po verifikohet nga autoritetet.

Hetimi vijon ndërkohë që pritet marrja në pyetje e Adrian Hilës dhe dëshmitë e personave të tjerë të kontaktuar nga policia. Këto deklarime pritet të ndihmojnë në përcaktimin e autorëve dhe të rrethanave konkrete që çuan në publikimin e materialeve intime.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.