Admir Abrija i burgjeve , “qeras” me 1.8 miliardë Qefaliajt për presh e pjeshka për të burgosurit
Admir Abrija, drejtori i përgjithshëm i Drejtorisë së Burgjeve, ka “shpartalluar” fondet që ka në dispozicion për të blerë presh, pjeshka si dhe fruta e perime të tjera për të burgosurit. Ai i ka paguar plot 1.8 miliardë lekë Qefaliajve për një tender të ri që ka si objekt “Loti 2: Blerje fruta dhe perime”, organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.


Por përveç konkurrencës tepër të cunguar shikohet gjithashtu diçka tjetër. Fitues është shpallur kompania (bashkimi i kompanive) që ka ofruar vlerën më të lartë. Po, po. E lexuat mjaft mirë. Fitues janë shpallur ata që kanë ofruar më tepër.

Bëhet fjalë për bashkimin e operatorëve ekonomikë “Dajti Park 2007” në pronësi të Lulzim Qefalia dhe Desart Kalaja & “4 S” në pronësi të Xhino Sinani. Të dyja këto kompani kanë “njohje të vjetra” me miliardat e fituara nëpër tendera të ndryshëm të dhëna nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.

Në rastin konkret ata janë shpallur fitues me ofertën 147,350,285 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.8 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Ndërkohë konkurrenti tjetër ka ofruar gati 60 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH më pak sesa fituesit.

Kjo natyrisht është një vlerë e frikshme aq më tepër kur bëhet fjalë për ushqime. Por me sa duket kjo nuk i ka bërë aspak përshtypje drejtorit Abrija. Nga ana tjetër vlera fituese rezulton të jetë 97% e fondit limit të tenderit duke i rritur akoma më tepër dyshimet se fituesi dihej prej kohësh.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



