E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ahmetaj gënjeu për inceneratorin/ E mohoi 3 muaj pasi firmosi kontratën
Publik News

Ahmetaj gënjeu për inceneratorin/ E mohoi 3 muaj pasi firmosi kontratën

Të gjitha këto procedura janë tentuar të fshihen nga ana e qeverisë dhe ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj. Nga një vëzhgim i dokumenteve, rezulton se qeveria Rama në datë 7 dhjetor të vitit 2016 mori vendimin për favorizimin e kompanisë së Klodian Zotos, “Integrated Energy B.V.”, sh.p.k. duke i dhënë 8% të pikëve bonus për rezultatin teknik dhe financiar në procedurën përzgjedhëse konkurruese për dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese të Tiranës, një procedurë që nuk u realizua kurrë.

Por nga të dhënat zyrtare të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se në kohën kur qeveria vendosi të favorizonte kompaninë e Klodian Zotos, ajo nuk ishte krijuar fare dhe praktikisht qeveria ka marrë një vendim për kompani fantazmë. Disa muaj më pas, kur duket se çdo gjë ishte vendosur në rrugën e duhur, kompania “Integrated Energy B.V.” regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Në datën 31 gusht 2017, kompania “Integrated Energy B.V.” regjistrohet në Shqipëri dhe administrator të saj janë Arjola Kodra dhe Giuseppe Ciaffaglione, emër ky që rezulton edhe si një nga ish-drejtuesit e kompanisë në Holandë, pjesë e së cilës ishte Klodian Zoto. Po në të njëjtën datë, më 31 gusht 2017, me një shpejtësi të panjohur më parë në burokracitë e shtetit shqiptar, Ministria e Mjedisit nënshkruan kontratën me kompaninë e sapokrijuar  “Integrated Energy B.V.”, për nisjen e punimeve për inceneratorin e Tiranës.

Tashmë çdo kontratë ishte firmosur dhe kompanisë së Klodian Zotos i ishte hapur rruga për ndërtimin e inceneratorin e Tiranës. Edhe pse kontrata miliona euro ishte firmosur, qeveria dhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj vazhdonte ta mohonte një fakt të till. Në 27 nëntor të vitit 2017, rreth një vit pas vendimit të Qeverisë dhe 3 muaj pas nënshkrimit të kontratës, Ahmetaj mohonte  se i kishte dhënë Klodian Zotos projektin miliona euro të inceneratorit të Tiranës

“Projekti i Tiranes është ende larg konkretizimit dhe hëpërhe nuk mund të thuhet që është e sigurt se do të zbatohet, por e sigurt është që në seancën e kësaj jave në Kuvend, Lulzim Bashën e pres me kënaqësi në një përballje shifrash, faktesh dhe provash”, shprehej ai.

Tashmë mbetet për tu zbardhur se përse këto procedura u bënë në një kohë rekord, me një vendim qeverie për një kompani fantazmë, me një kontratë miliona euro, të firmosur nga një kompani që ishte krijuar po atë ditë. E për më tepër ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj mohonte e gënjente publikisht për ekzistencën e kësaj kontrate edhe pse kishte tre muaj qe e kishte firmosur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.