Akademiku jep alarmin : E tmerrshme, sa jemi budallallepsur si komb e shtet
Artan Fuga: Edhe nëse 3 policët i zunë në territorin serb, e çfarë? Po mbahen si robër lufte! Politika shqiptare hesht

Akademiku Artan Fuga ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me rrëmbimin e tre efektivëve të Policisë së Kosovës nga Serbia. Ai vlerëson se kombet e civilizuara zgjidhin incidentet kufitare me maturi dhe bashkëpunim. Sipas tij, vendi ku u kapën efektivët, ajo të Kosovës apo të Serbisë, nuk ka rëndësi. Ai argumenton se në kufi ndodhin ngjarje të tilla, por është e rëndësishme të mos trajtohen si terroristë dhe të ndërmarrin masa për të zgjidhur incidentet kufitare të tilla. Ai thekson se mungesa e bashkëpunimit dhe refuzimi i zgjidhjes së këtyre incidenteve të vogla mund të përdoren më vonë për të nxitur konflikte dhe tensione të tjera lidhur me gjendjen në veri të Kosovës, Asociacionin, dhe tema të ngjashme.
Reagimi i plotë:
Kombet e civilizuara i zgjidhin incidentet kufitare me maturi, bashkëpunim!
E tmerrshme, çfarë na ndodh, sa shumë jemi budallallepsur!
Diskutojmë nëse policët e Kosovës, ushtarakët serbë i kapën në territorin e Kosovës, apo kishin kaluar kufirin për të dalë në territorin e Serbisë!!! A thua se është çështje metrash, dhe jo një problem që kërkon gjykim politik.
Pa pikë rëndësie. Sikur t’i kishin rrëmbyer brenda kufirit të Kosovës, sigurisht kjo do të ishte një ngjarje me përmasa shumë të rënda. Por, ja e zemë se ata tre policë i zunë në territorin serb.
E cfarë pastaj? Në kufi edhe ndodh. Kush të jep të drejtën t’i mbërthesh, t’i trajtosh sikur të ishin terroristë, të mos japësh prova, të mos bësh notë proteste, të mos bashkëpunosh për t’i zgjidhur këto incidente kufitare kaq minore, por që pastaj përdoren brenda strategjisë të nxitjes të konflikteve që lidhen me gjendjen në Veri, me Asociacionin, me këtë ose atë.
Parimisht, shteti i Kosovës, boll i kishte hallet me serbët, nuk kishte përse të shtynte policët t’i shtonin ujë gotës në të derdhur.
Por, e them, ç’rëndësi ka kjo përpara faktit që i mban si robër lufte tre policë në vend të bashkëpunosh për të zgjidhur incidentin.
Kush po i mban ata tre policë ashtu? Kosova?
Hë? Kosova?
Njësoj pra qenka pozicionuar Serbia dhe Kosova?
Kur sheh që në këtë marri bien edhe institucione prestigjioze ndërkombëtare, thua: O mjerë ne, ç’na ka gjet!
Këta i janë qepur, se ku ishin policët kur u rrëmbyen! O Zot, a mund të na japësh pak kulturë politike dhe mos na bësh të mos i dalim zot imazhit tonë!
Në vend të themi: Zgjidhini si njerëz konfliktet, bërtasi: I kaaapët brenda territorit kosovar! Kërkohen hetime se ku u kapën! Tmerr! Dhe për krizën në Veri të Kosovës, partitë politike në Shqipëri heshtin, hesht Kuvendi, hesht qeveria.
Asnjë deklaratë!
Po ne na u rrit edhe rroga! Rritet rroga shkurtohet mendja!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



