Albin Kurti në Kuvend: Vazhdon lufta dhe terrori të sponsoruara nga Beogradi
Nëse Serbia kalon e pandëshkuar, ajo do ta përsërisë krimin!
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin”.
Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.
Seanca e 28 shtatorit në Kuvend ka nisur me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë.
Mes tjerash, Kurti ka bërë thirrje që organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore të shpallen organizata terroriste nga shtetet partnere të Kosovës.
Qeveria e Kosovës i ka shpallur këto dy organizata si terroriste, më 29 qershor.
Ato besohet se veprojnë në veriun e Kosovës dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë.
Kurti i ka falënderuar të gjitha shtetet që e kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe për mbështetjen e ofruar.
“Lufta kundër krimit e terrorit të sponsoruar nga Serbia vazhdon, dhe ajo do të përfundojë doemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur”.
Kuvendi i Kosovës është pajtuar që të hartojë një projekt-rezolutë për dënim të sulmeve që kanë ndodhur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator.
Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar Serbinë përgjegjëse për këtë sulm, derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit.
Shefja e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, ka bërë thirrje për unitet politik, në këtë periudhë kur, sipas saj, është duke u sfiduar integriteti territorial i Kosovës.
“E diela që lamë pas shpërfaqi një sulm të organizuar dhe të dirigjuar direkt nga Beogradi, për të ndezur zjarrin e një konflikti të ri në Kosovë. Asnjë fakt nuk çon në ndonjë përfundim tjetër”, ka thën ajo, teksa e ka përmendur armatimin e gjetur nga Policia e Kosovës në zonën e sulmit.
Kusari-Lila e ka fajësuar Serbinë për sulmin.
“Porosia dhe veprimi i të gjithëve duhet të jetë konsistent në dënimin e këtij terrori dhe këtij krimi… u kuptua se Serbia as nuk ka ndryshuar, as nuk e fsheh faktin që ka mbetur Serbia e [ish-liderit Sllobodan] Millosheviqit, vetëm se ndikimin e ka më të vogël dhe fushëveprimin më të ngushtuar”.
Kryetari i partisë opozitare, Partia Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për hetim ndërkombëtar për ta vërtetuar përfshirjen e Serbisë në këtë sulm.
“Mposhtja e grupit terrorist në Banjskë të Zveçanit, nuk është përfundimi i qëllimeve dhe synimeve të Serbisë karshi Kosovës, e që është destabilizimi i skajshëm i vendit tonë. Për mua dhe PDK-në është krejtësisht e qartë se organizimi dhe orkestrimi i sulmit terrorist mbi republikanë tonë, adresën kryesore e ka në Beograd”.
Ai ka thënë se Kosova duhet të kërkojë “ekstradimin e terroristëve nga Serbia, të cilët e kanë kryer sulmin ndaj mbi shtetin tonë”.
Kryetari i partisë tjetër opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se synimi i sulmit të 24 shtatorit ka qenë krijimi i një realiteti të ri në veri.
Sipas tij, përgjigja e autoriteteve të Kosovës ndaj sulmit ka qenë “më adekuatja e mundshme”.
“Faktet janë të qarta. Kosova nuk e ka sulmuar Serbinë. Kosova nuk e ka vrarë një polic të shtetit tjetër. Nga Kosova nuk janë nisur mjete e trupa ushtarake drejt një shteti tjetër. Në Kosovë nuk janë kthyer individë të armatosur, pasi e kanë vrarë një polic të shtetit tjetër. Kosova nuk ka vendosur trupa të armatosura në objekte fetare”.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se një rezolutë që e dënon sulmin në Banjskë, është e drejtë dhe Kuvendi i Kosovës duhet ta aprovojë.
“Në këtë rezolutë kërkoj që të përfshihet kërkesa për një hetim ndërkombëtar. Ky hetim do të ndihmonte, jo vetëm në zbardhjen e përfshirjes së Serbisë në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, por do ta ndihmonte bashkësinë ndërkombëtare që t’i ndëshkojë sponsorët e terrorizmit”.
Sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë dënuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe është bërë thirrje për përballjen e fajtorëve me drejtësi./ REL
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



