E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Albin Kurti rendit arsyet pse ka raport të ftohtë me Edi Ramën
Lajme

Albin Kurti rendit arsyet pse ka raport të ftohtë me Edi Ramën

Akujt e ngrirë në raportin personal midis tij dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama, për Albin Kurtin nuk duhet të merren edhe aq në konsideratë, nëse sheh nivelin e bashkëpunimit në terren midis dy qeverive dhe suksesin e 58 marrëveshjeve të firmosura.

“Ne për këto tri vite i kishim dy mbledhje të përbashkëta të qeverive. Unë mendoj se duhet t’i kishim së paku 3 mbledhje. Kemi bërë 58 marrëveshje bilaterale që janë zbatuar shumë mirë. Kemi hapur 26 vendkalime kufitare për rreth 200 mijë banorë në të dyja anët e kufirit. Kemi bërë tregun e përbashkët energjetik ALPEX. I kemi dy zyra doganore të Kosovës në Porto Romano dhe në Durrës. Kemi nënshkruar marrëveshjen për hekurudhën Prishtinë-Durrës, që me gjasë përfshin një segment jetik për aspektin historiko-kulturor të kombit shqiptar, e që është ai Gjakovë-Shkodër”, tha Kurti në emisionin “Debat” të “A2CNN”. 

Edhe pse nuk janë kursyer aspak në gjuhën me të cilën i janë referuar njëri-tjetrit dhe margjinat e komunikimit bilateral s’kanë qenë fort pozitive, Kurti vlerëson faktin se bashkëpunimi mes ministrave të dy vendeve ka qenë më i miri se çdo qeveri e mëparshme.

“Në kuptimin e punëve të kryera, rezultateve të arritura, mendoj se jemi më mirë se të gjitha qeveritë e mëhershme. Edhe ndonjëherë kur është dukur që ne si dy kryeministra nuk i kemi marrëdhëniet e shkëlqyeshme kjo nuk ka vlejtur asnjëherë për ministrat”, u shpreh Kurti. 

Megjithatë, Kurti ka theksuar se krisja kryesore me Ramën ka ndodhur për shkak të qëndrimeve ndaj Serbisë dhe Ballkanit të Hapur.

“E kemi atë dallimin për çështjen e Ballkanit të Hapur, e qëndrimit karshi Beogradit e me radhë, por në kuptimin e afrimit, integrimit Kosovë-Shqipëri, unë besoj se janë dramatizuar si karikaturë dallimet, ndërkohë që gjërat pozitive janë heshtur disi”, tha ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.