Analistët justifikojnë opozitën: Ja pse dështoi në zgjedhjet lokale
Parashikimet e zgjedhjeve të pjesshme lokale u përmbushën plotësisht, Partia Socialiste mori fitoren në të gjitha bashkitë ku u votua, Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik dhe Mat.
Megjithatë, procesi u shënua nga pjesëmarrja më e ulët historike, vetëm 18.45%, me Vlorën që theu çdo rekord negativ. Opozita nuk mori pjesë me siglën e Partisë Demokratike, por mbështeti kandidatë të pavarur, një strategji që dështoi në përpjekjen për të rikthyer besimin te votuesit.
Ndërsa kryeministri Edi Rama përgëzoi kandidatët fitues të mazhorancës, PD mblodhi sot grupin parlamentar, ku pati tona të përçara dhe pa asnjë qëndrim zyrtar për humbjen.
Sipas pedagogut Ermal Hasimja, opozita ishte e përqendruar vetëm te zgjedhjet në Tiranë, ndërsa pjesa tjetër e garave u neglizhua plotësisht.
“Zgjedhjet ishin më të pjesshme se të pjesshmet. Tirana u asgjësua, dhe aty ku opozita mund të kishte një garë reale, doli jashtë loje. Bashkitë e tjera u lanë pas dore. PD-ja nuk e mori seriozisht procesin,” tha Hasimja, duke shtuar se mospjesëmarrja masive reflekton humbjen e besimit të qytetarëve te vota si instrument ndryshimi.
Pedagogu Fitim Zekthi e cilësoi situatën si “krizë të dyfishtë”, ku si PS-ja, ashtu edhe PD-ja, po mbijetojnë politikisht pa frymë ndryshimi.
“Këto zgjedhje treguan krizën e madhe që po kalojnë të dyja partitë. Opozita bëri bojkot, por edhe PS nuk kishte motiv. Ishte një farsë elektorale që thjesht përsëriti të njëjtën gjendje të sëmurë politike,” theksoi Zekthi.
Gazetari Arbër Hitaj shkoi edhe më tej, duke e quajtur rezultatin një dështim organizativ për opozitën, që humbi mundësinë për t’u riformatuar.
“Eksperimenti me kandidatë apolitikë dështoi. Demokratët nuk dolën të votojnë. Nuk është bojkot, është mungesë totale organizimi. Një parti që synon pushtetin, nuk mund të dalë nga zgjedhjet me 3 mijë vota,” tha ai.
Në fund, zgjedhjet e 9 nëntorit u lexuan nga shumë analistë si “një provë e humbur” për opozitën dhe një “fitore pa lavdi” për mazhorancën, në një klimë ku politika shqiptare duket më e lodhur se kurrë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



