Analiza/ “Tritol kullave te Teatri”, Nazarko: Basha po legjitimon prishjen nga Rama të pallatit buzë detit në Vlorë?

Vendimi i fundit i presidentit për të refuzuar ligjin që parashikonte ndërtimin e teatrit në këmbim të zhvillimit të zonës urbane rreth saj, mbi bazën e nëntë argumentave me natyrë kushtetuese i dha një stimul tjetër cilësor, por edhe sasior debatit publik. Ndër gjithë zërat që që janë përfshirë në këtë debat jo thjesht me mendim, por edhe me veprim (me pjesëmarrje në protesta), ai që duhet veçuar padiskutim është profesor Artan Fuga. Profesor Artan Fuga është një figurë me lartësi profesionale, me profil të lartë akademik dhe intelektual, që për shkak të pavarësisë financiare, morale, për shkak të qëndrimeve të tij relativisht të ekuilibruara, asnjëherë i rreshtuar në mënyrë përcaktuese në njërin krah ose në krahun tjetër, do duhet dëgjuar me respekt.
Pse e veçova profesor Fugën? Debati për teatrin po shndërrohet në përplasje krahësh për teatrin dhe mu në këtë përplasje nevojiten zëra mbi palët. Mu për këtë mu kujtua një shkrim imi i korrikut 2011 ku trajtoja autoritetet morale, përkufizimi i të cilave ndonëse vjen nga mesjeta apo nga kohëra më të largëta, janë figura të cilat janë të nevojshme për shoqëritë tona moderne që vuajnë kundërvënie të forta. I referohesha Ismail Kadaresë me letrën që ai i dërgonte zotit Basha, në lidhje me zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Në atë letër shkrimtari ynë i madh i bënte thirrje kreut të opozitës së sotme që të jepte dorëheqjen në emër të shmangies së konfliktualitetit, që do të prodhonte vendimi i pranimit, nga ana e tij, të kryesimit të bashkisë së Tiranës.
Në atë shkrim i referohesha një autori si Michael Ignatieff i cili thoshte që edhe në kohërat e sotme kur shoqëritë, kur politika ndahet në dy kampe, rreptësisht të ndara, për të dalluar të vërteta të cilat janë të komplikuara, për të ndarë grurin nga egjra, nevojiten figura të cilat janë autoritete morale: unë e konsideroja Kadarenë si autoritet moral i cili në liidhje me zgjedhjet e Tiranës, kishte lartësinë morale, intelektuale, që t’i drejtohej dy krahëve të politikës me një qëndrim i cili duhet të ishte zgjidhësi i konfliktit. Asokohe, profesor Fuga e kundërshtoi shkrimin tim, ndonëse pa mu referuar mua në vetë të parë. Kjo nuk është arsye pse sot në të njëjtën mënyrë të mos e konsiderojmë profesor Fugën, si një autoritet moral, idetë e të cilit duhen marrë parasysh në lidhje me çështjen e teatrit. Kjo duhet bërë megjithë pozicionimin ekstrem të tij në disa elementë, nuk po flas për ironinë e tij therëse. Duhet supozuar se as ai megjithatë nuk pretendon se i jep zgjidhjen përfundimtare debatit kryesor!
Ja cili problemi kryesor:
A duhet të prishet teatri i vjetër, a duhet të rindërtohet një i ri në atë vend? A duhet që shteti t’i japë privatit në këmbim, një sipërfaqe për ta zhvilluar atë, nga pikëpamja urbane dhe të marrë falas ndërtimin e teatrit?
Në lidhje me këto çështje, profesor Fuga jep një qëndrim të vetin, i cili, do duhet pranuar a priori se është një qëndrim i dizinteresuar nga pikëpamja morale, apo nga pikëpamja e interesave, por si profesor Fuga nuk janë dy krahët e politikës. Ndonëse ato janë palë të interesuara, po përpiqen të luajnë me kartën morale, apo atë të modernizimit të hapësirës urbane. Po ashtu dy krahët e politikës janë duke e politizuar me çdo kusht çështjen e teatrit, duke rritur për pasojë edhe ndarjen që ekziston në shoqëri në lidhje me këtë çështje.Ndarja e fortë krijon përplasje të fortë. Dhe monopolin e të vërtetës nuk e ka askush: të dyja palët po gabojnë sepse mundohen që t’i veshin vetes kostume morale të cilat nuk i kanë. Ato po mundohen të interpretojnë qëndrimet e njëra-tjetrës, apo të aktorëve nga pozita lartësie morale të cilat janë tërësisht të diskutueshme apo tërësisht të pabesueshme.
Marrim si shembull qëndrimin e Partisë Socialiste. Argumentat që përmendte presidenti në refuzimin e tij ishin veshja me koncepte të së drejtës kushtetuese të të ashtuquajturave shqetësime të shprehura nga një pjesë e opinionit publik, nga një pjesë e politikës. Kjo e drejtë nuk ka një karakter ekzakt, dhe aq më tepër nuk mund që këto argumenta të trajtohen në mënyrë shteruese në një numër faqesh saç ishte trajtesa e ekipit të presidentit. Gjithsesi argumentat në qëndrimin e presidentit janë serioze dhe do duhet të ishin marrë parasysh nga krahu i qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës në debatin e përgjithshëm. Këto argumenta de jure përfaqësojnë një lloj steke juridike më të cilën do duhet matur veprimi i çdo institucioni shtetëror apo institucioni si Bashkia e Tiranës. Interpretimi që i bëhet refuzimit presidencial me logjikën e interesave, apo motiveve nuk është i qëndrueshëm logjikisht. Veshja e kostumeve morale nga ana e njerëzve të qeverisë, nga ana e deputetëve të caktuar të krahut qeveritar që janë duke sulmuar presidentin se është i motivuar nga këto interesa, është një qasje e gabuar: të dy palët mund ta akuzojnë njëra-tjetrën për interesa të caktuara në lidhje me çështjen e teatrit.
Dy palët politike, pra as e majta dhe institucionet e saj nuk kanë autoritet moral, që të përcaktojnë se kush ka të drejtë në lidhje me këtë çështje. Kësisoj, qeveria, Bashkia e Tiranës, do duhet që të mos tregojnë ngut në lidhje me këtë çështje. Ato do duhet që t’i shpjegojnë opinionit publik se pse shtyhen që t’ia ofrojnë këtë proces inxhinieringu financiar pa garë një ndërmarrje të caktuar private. Nëse do tregonin bindshëm drejtësinë e këtij procesi, mbase do ishin bindës dhe për procese të ngjashme për të cilat po kritikohen madje dhe nga Departamenti amerikan i Shtetit. Qeveria, do duhet të ndante në fund të fundit qëndrimet e grupeve të caktuara, qëndrimet e intelektualëve të caktuar nga ato të opozitës. Po ashtu retorikisht do duhet ta veçojë presidentin nga loja e opozitës, sepse e ka zgjedhur në atë pozitë me votat e veta. Dhe nesër do trokasë prapë tek dera e tij. Më në fund, pozicionimi në debat, sikur pala tjetër, protestuesit janë kundër teatrit është i pabesueshëm: operacioni do duhet shpjeguar në tërësinë e tij. Nuk mund të mbahet mungesë transparence për një operacion kaq të madh.
Vërejtja për opozitën.
Përdorimi i gjuhës së ashpër të tritolit nga ana e shefit të opozitës, pra se ai do të bëjë të njëjtën gjë me kullat që do ndërtohen afër teatrit, na kujton se këtë gjë e tha dhe ebëri edhe Rama me pallatin ndërtuar në bregdetin e Vlorës e që thuhej se i përkiste vjehrrit të zotit Basha apo vetë zotit Basha. A po legjitimon Basha veprimin e Ramës duke folur me të njëjtat terma? A po justifikon veprimin e qeverisë? Veshja e kostumeve që ka përdorur dikur qeveria nga ana e opozitës nuk është gjithmonë rrugë e mençur, qofshin ato dhe kostume heroike. Po ashtu nuk është shumë e ndershme që të sulmohen aktorë të caktuar se kanë ndryshuar qëndrimet duke kaluar pro apo kundër prishjes së teatrit. A nuk ka qenë vetë opozita që ka zgjedhur që të bëjë herë pas here kompromise të mëdha morale apo imorale me qeverinë?
Rruga më e drejtë e zhvillimit të debatit
Mbajtja e debatit në fushë politike do të thotë që lufta të bëhet mbi instrumenta politike. Intelektualët mund ta zhvillojnë këtë betejë mbi bazën morale, profesionistët do duhet ta zhvillojnë atë mbi bazë profesionale. Ndërrimi i kostumit i njërës palë me tjetrën nuk e ndriçon opinionin publik për atë se cila është e vërteta mbi teatrin.
Ka diçka e cila duhet evidentuar: çështja e inxhineringut financiar, çështja e partneritetit publiko privat të cilin në shkrimin e vet profesor Fuga e konsideron si një të keqe të madhe. Partneriteti publiko privat, në argumentimet e ekspertëve ndërkombëtarë, njihet si rruga e vetme që shteti të zhvillojë operacione të caktuara me kosto të lartë financiare, në momentin kur nuk ka burime të mëdha në dispozicion. Problemi nuk është tek instrumenti i zgjidhjes: problemi është tek drejtësia e kontratave, si nënvizon raporti i fundit i Departamentit të Shtetit. Për rrjedhojë, opozita, intelektualët, do duhet të kërkojnë transparencë mbi atë që është tërësia e këtij operacioni. Në pak fjalë, një kompanie private i ofrohet mundësia që të zhvillojë atë zonë, -përdorim për konvencion një term profesional,- dhe në këmbim, për këtë pozicion të privilegjuar, privati ndërton teatrin apo merr përsipër koston e ndërtimit të teatrit.
Shoqëria përfiton pikërisht nga debati profesional në lidhje me transaksionin dhe jo nga sherri nga pozita gjoja morale.
Emocionet për teatrin i shprehin më së miri aktorët.
Intelektualët e epërm flasin nga pozita morale.
Politikanët le të diskutojnë për zgjidhjet e tyre politike.
Për sfondin e korrupsionit, le të hetojë prokurorët dhe më në fund të vendosë gjykata.
Marre nga Konica.al
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



