Arrestohet sërish ish-bashkëshortja e Mirit të Xhikes
U la e lirë në 2012, arrestohet sërish ish-bashkëshortja e Mirit të Xhikes. Ja akuzat që rëndojnë mbi të
Manjola Prifti, ish-bashkëshortja e Fatmir Ramës, i njohur si Miri i Xhikes dhe i ekzekutuar në ambientet e kompleksit të tij “Kartodromi” në Lundër, 9 vjet më parë, u arrestua pasditen e djeshme në Tiranë, për llogari të Italisë.
Prifti është arrestuar me qëllim ekstradimi pasi ishte në kërkim ndërkombëtar. 43 vjeçarja është dënuar me 7 vite e 3 muaj burg për veprën penale pjesëmarrje në organizata kriminale.
Manjola Prifti, ish-bashkëshorte e biznesmenit të ekzekutuar në mars 2003 u arrestua.
Njoftimi i policisë
Tiranë
Policia e Tiranës në bashkëpunim me Interpol Tirana kanë bërë arrestimin provizor me qëllim ekstradimi të shtetases:
Manjola Prifti, 43 vjeç, banuese në Tiranë.
Kjo shtetase ishte e shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi:
Autoritetet Gjyqësore Italiane, e kanë dënuar shtetasen Manjola Prifti me 7 vjet, 3 muaj dhe 15 ditë burg, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” bazuar në nenin 110 të Kodit Penal Italian dhe Neni 73 e 74 të Dekretit të Presidentit Italian nr. 309/90.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Parë Tiranë.
AKUZAT
Nga të dhënat paraprake të Policisë së Tiranës, mësohet se Manjola Prifti ka qenë e shpallur në kërkim nga policia italiane që prej vitit 2003, kohë kur kërkohej edhe bashkëshorti i saj Fatmir Rama, i cili u ekzekutua rreth një muaj më vonë. Në shkurt të vitit 2003, në Ministrinë e Brendshme në Tiranë, mbërriti një kërkesë nga drejtësia italiane nëpërmjet zyrës së kontaktit Interforce dhe sipas të dhënave hetimore, Fatmir Rama kërkohej në shtetin italian, se ishte pjesëtar i një grupi trafiqesh të paligjshme. Sipas të njëjtës kërkesë, Fatmir Rama ishte shpallur në kërkim, që në vitin 1997 në Milano të Italisë, në kuadër të operacionit të koduar “Falco”. Një operacion që synonte të godiste një rrjet të fuqishëm të trafikut dhe shpërndarjes së drogës. Në të njëjtën kërkesë, flitej edhe për kryerjen e të njëjtës vepër penale nga Miri i Xhikes, në vitin 2001, që nga përgjimet telefonike, në kuadër të operacionit të koduar “Asterea”, rezultonte që ndodhej në Shqipëri. Sipas burimeve nga policia, në veprimtarinë për të cilën është hetuar Fatmir Rama nga Italia dhe shpallur në kërkim, deri në anulohej urdhër arresti pas vrasjes së tij, është hetuar për disa vite edhe e shoqja e Manjola Prifti.
Manola Prifti u la e lirë në vitin 2012 pas arrestimit të bërë po për këtë çështje.
Asokohe Prifti i ka dërguar një memo ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizus duke qenë se djali i saj ka nënshtetësinë amerikane.
Nëpërmjet kësaj memoje ajo thotë se ndalimi i saj i hapi rrugë vjedhjes së pronave që trashëgon Endi Rama, djali i Fatmir Ramës, i vrarë në vitin 2003, që vlejnë miliona USD dhe ndodhen në zonat e preferuara për ndërtime.
Po ashtu ajo shton se arrestimi i saj asokohe u bë në shkelje të plotë të konventës europiane për ekstradim.
“Pas 5 muajsh thirrem nga Prokuroria e Tiranës, ku më njoftohet që shteti italian ka sjellë si përgjigje negative për ekstradimin tim, pra e ka refuzuar atë, dhe njëkohësisht vihem në dijeni nga prokuroria që shteti shqiptar, pas refuzimit të ekstradimit tim nga shteti italian, i ka kërkuar këtij shteti të bëjë njohjen e vendimit të huaj penal të dhënë nga Gjykata Penale e Milanos”, thuhet në memo.
Më tej ajo shton: Nga vetë pika 1, pra refuzimi i shtetit italian i ekstradimit tim, shpjegon qartë se kurrë shteti italian nuk e ka kërkuar ekstradimin tim, pra nuk ka sjellë një kërkesë të tillë ndaj meje, por shteti shqiptar, Prokuroria e Përgjithshme, ka urdhëruar printimin e shpalljes së arrestimit tim në vitin 2005 nga shteti italian dhe nëpërmjet këtij njoftimi ka vënë në lëvizje të gjitha strukturat shtetërore, duke më arrestuar dhe duke i kërkuar njëkohësisht ekstradimin shtetit italian, i cili e refuzoi.
“Të gjitha këto akuza erdhën për shkak të lidhjes sime me Fatmir Ramën që në moshën 19-vjeçare (1994), me të cilin kam lindur fëmijën tim Endi Rama, qytetar amerikan. Fatmir Rama është vrarë në vitin 2003 në pronën e tij ‘Kartodrom 2000’. Fatmir Rama është dënuar në mungesë në Itali me 27 vjet burg për ‘trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash’. Ndjekja penale ka filluar më 1996-n dhe është shpallur vendimi më 2003-shin” shkruan Prifti.
“Marrëveshja bilaterale në lidhje me ekstradimin parashikon edhe sekuestrimin e pasurive të prejardhura nga vepra penale si objekt i krimit, si p.sh. në lidhje me akuzën e pastrimit të parave. Sipas kësaj logjike, duhej të ishin sekuestruar të gjitha pasuritë e Fatmir Ramës dhe Manjola Priftit (pasi unë jam e akuzuar drejtpërsëdrejti në lidhjen me Fatmir Ramën), trashëgimtarëve apo familjarëve të tyre, ose minimalisht të hetohej në lidhje me pasuritë e tyre. Kjo u bë në mënyrë të njëanshme vetëm për mua, duke më hetuar deri te pensionet e gjyshërve, pa u përmendur asnjëherë Fatmir Rama, ndërkohë që njihet botërisht, pasi është përfolur nga shteti shqiptar Fatmir Rama si ‘bos i drogës’ dhe nuk u ndërmor asnjë hetim apo sekuestrim në lidhje me pasuritë e Fatmir Ramës, të cilën e poseduan pas vdekjes së tij vëllezërit Besnik dhe Luan Rama, pasuri (“Kartodrom 2000”), që kapi vlerën rreth 4 milionë euro në shitjen që iu bë nga vëllezërit e Fatmir Ramës me profesion shofer autobusi”, thotë Manjola.
Më kanë bërë si kryetare e një grupi kriminal, unë 19-vjeçarja me anëtarë 40-vjeçarë, trafikante internacionale droge, me biznese të dyshimta në Shqipëri, me vila dhe makina luksoze, të blera nga paratë e drogës, pa bërë asnjë lloj verifikimi për pasuritë e mia, pa parë asnjë lloj dokumenti nga shteti italian në lidhje me akuzat në ngarkimin tim, duke më shkatërruar dhe cenuar dinjitetin tim, të fëmijëve të mi, dhe të familjes sime”, vijon memoja, që i është dërguar edhe ambasadorit amerikan, pasi djali i saj, Endi, ka nënshtetësi amerikane.
Katër kërkesat e Priftit për Ambasadën Amerikane
Jam prind i vetëm dhe përfaqësuesja ligjore e të miturit Endi Rama, qytetar amerikan
I rrezikohet jo vetëm vjedhja e pasurisë trashëgimore, por edhe kufizimi i lirisë sime
Kërkoj verifikimin e procedurave të arrestimit tim për ekstradim, pasi unë personalisht nuk jam njohur deri më sot me asnjë lloj dokumenti
Kërkoj ndihmën tuaj për monitorimin e proceseve gjyqësore në lidhje me kërkimin e pasurive trashëgimore
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



