Arsenali nuk zhgënjen si kryesues i Premier League

Arsenali ka koleksionuar fitoren e katërt radhazi në Premier League, duke mundur pastër 3-0 Bournemouth. Vendasit e nisën ndeshjen në sulm, duke rrezikuar disa herë portën e kundërshtarit. Në minutën e 20-të, Bukojo Saka vendosi në provë portierin Traverz, e menjëherëshme ishte përgjigja e “gardianit”, i cili neutralizoi sferën.

Në minutën e  42-të, Havertz fitoi penallti për skuadrën e Artetës, 11-metërsh ky që për konfirmimin, u nevojit ndërhyrja e sistemit VAR. Nga pika e bardhë nuk fali Saka, ekzekutim perfekt i anglezit.

Arsenali vendosi ndeshjen në “shinat e duhura” në të 70-tën, me Trossard që finalizoi ashtu si duhet një aksion me shumë pasime.

Semenjo ndezi shpresën mysafire, por vetëm përkohësisht, pasi goli i tij u anulua për shkak të një faulli ndaj portierit Raya. Pavarësisht rezultatit që nuk linte shumë hapësirë për diskutime, ritmi ishte i kënaqshëm edhe në fundin e sfidës, madje pati kohë edhe për një gol të Rajs.

Arsenali kështu shkon në kuotën e 83 pikëve në krye të klasifikimit, 4 më shumë se City që ka luajtur 2 ndeshje më pak. Rivaliteti për titullin kampion duket i ashpër, me Premier League që premton emocione deri në javën e fundit.

Publikuar nga Publik Media