Arta Dollani merr drejtimin e arsimit parauniversitar pa konkurrencë
Në një konkurs me vetëm një kandidat, Arta Dollani është emëruar drejtuesja e re e sistemit arsimor parauniversitar në Shqipëri, duke ngritur pyetje mbi procesin e emërimeve pa konkurencë.
Emërimi i saj erdhi në të njëjtën ditë kur Dollani u lirua nga detyra e kreut të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. Pavarësisht testimit me shkrim dhe intervistës në Ministrinë e Arsimit, rezultati dukej i paracaktuar.
Kriteret e thirrjes për vakancën e bënë praktikisht të pamundur konkurrimin e kandidaturave të tjera. Kandidati duhej të kishte të paktën 10 vite përvojë në drejtimin e institucioneve të administratës publike – përvojë që Dollanit nuk i mungon, pasi ka shërbyer edhe si drejtoreshë e trashëgimisë kulturore në kohën kur ministre e Kulturës ishte Mirela Kumbaro.
Ky rast nxjerr në pah një model të përsëritur: kur ministrat ndërrojnë profilin, por jo statusin, ata shpesh marrin me vete besnikët e tyre, edhe në fusha të ndryshme.
“Qasja e ministrave për të marrë me vete ekipin personal dëmton institucionin dhe forcon pozicionin e ministrit, duke demotivuar stafet teknike. Shembulli më i fundit i drejtueses së përgjithshme të arsimit parauniversitar tregon qartë mungesën e garës dhe shkatërron meritokracinë”, tha eksperti Migen Qiraxhi.
Sipas tij, modeli nuk është i izoluar. E njëjta praktikë është ndjekur edhe nga paraardhësja e Dollanit, Ogerta Manastirliu, e cila ka emëruar drejtues nga sistemi shëndetësor në arsimin parauniversitar, edhe pse rregullorja kërkon kategori “mësues i kualifikuar”.
“Edhe Manastirliu me marrjen e Ministrisë së Arsimit emëroi drejtorë nga shëndetësia drejt arsimit, duke pamundësuar rritjen hierarkike të mësuesve dhe zhvillimin e karrierës brenda sistemit,” shtoi Qiraxhi.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet e shpeshta në udhëheqjen institucionale ndikojnë drejtpërsëdrejti në cilësinë e arsimit. Fillimi i çdo drejtori nga e para shkakton stres dhe tension për punonjësit, të cilët duhet të përshtaten me drejtuesit e rinj, shpesh pa njohuri të mjaftueshme mbi sfidat e institucionit.
Ndryshimet në krye të Ministrisë së Arsimit kanë ndodhur mesatarisht çdo dy vjet, duke krijuar një mungesë kontinuiteti dhe politika arsimore të paqëndrueshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



