Artan Fuga: Ka nisur gjuha e dhunës elektorale! Ja si shprehet
Akademiku Artan Fuga ka renditur 14 pika që sipas tij tregojnë se ka nisur gjuha e dhunës elektorale mes forcave politike në Shqipëri, ndërkohë që na ndajnë 40 ditë nga zgjedhjet.

Sipas Fugës gjuha e dhunës shprehet përmes fyerjeve të ndërsjellta mes politikanëve, krimalizimit të gjuhës, batutave pa vlerë, portretizim karikaturalist i kundërshtarëve, si dhe kërcënimeve verbale për dhunë fizike.
Komenti i plotë
Gjuha e dhunës elektorale ka nisur.
Ajo shprehet:
- Fyerje personale të ndërsjellta mes politikanësh
- Kriminalizimi i gjuhës, duke dalë jashtë politikës, por luajtur verbalisht polici – hajduti
- Në vend të analizave politike të realitetit të sotëm, marrje me fraza dhe batuta krejt pa vlerë.
- Portretizim karikaturalist i kundërshtarëve dhe fyerje me rob shtëpie
- Dalje e të folurit nga kompetencat funksionale prej shtetari
- Kërcënime verbale për dhunë fizike
- Gjuhë e hakmarrjes, e vetëgjyqësisë, së drejtës kanunore, gjoja mbështetur në traditat popullore të ballokumes (Hahahaha, një ministre thotë se ajo që ndodhi në Elbasan nuk është në përputhje me gjuhën e ballokumes!!!) përdorur nga shtetarë, politikanë madje dhe gazetarë.
- Shtim i fjalëve banale në komunikim.
- Sulmi me kode të fshehta midis politikanëve
- Marrja me fjalë të kota si përgjigje njeri tjetrit për të tërhequr vëmendjen dhe si fitore verbale para opinionit ne një spektakël të shëmtuar.
- Ndërprerja e fjalëve të diskutuesve nëpër panele televizive për të krijuar kaose në bashkëpunim dhe me ndonjë gazetar që hiqet si i ose e pavarur, dhe keqtrajtimi i gazetarëve të terrenit.
- Kontrolli i mediave vetëm nga thëniet e politikanëve duke na dhunuar jetën tonë të përditshme dhe të drejtën tonë për informim
- Deklarata të pambështetura në fakte të besueshmedhe të plota
- Përdorimi pa kriter i mediave sociale nga shtetarë dhe politikanë duke komunikuar vertikalisht me publikun pa ndërmjetësinë e gazetarëve dhe pa lejuar interaktivitet.
Se kush e nxit këtë gjuhë dhune, se çfarë përgatit ajo, se kujt i vlen, se çfarë na sjell ne qytetarëve? – Analizë këtu sot nëse e dëshironi!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



