E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Asgjë e re nga fronti i shtypit të lirë…
Publik News

Asgjë e re nga fronti i shtypit të lirë…

Sonila Meço

Asgjë e re nga fronti i shtypit të lirë.
Ku ekziston do ta asfiksojmë, ku nuk i ndihet fryma do ta mbajmë me “oksigjen” partiak.

Në Shqipërinë e vogël dhe të varfër, të shpopulluar dhe të përmbysur vlerash ndodh një paradoks tejet i madh.
Qindra “shtypës” të fjalës së lirë, të mirpaguar dhe të sistemuar në zyra pushteti, që në një rrjet të ndërtuar me sponsorizime të fuqishme aktivizojnë me mijra të punësuar mbi tastiera tabletesh, celularësh, lap top-ësh e kompjuterash kanë krijuar “median” absolute, pushtetin mbi pushtete, idetë e centralizuara emetuar nga makineria e egër e propagandës përballë mendimit të lirë, përpjekjeve për ide të lira jashtë mega-rrjetit të komanduar.

Dhe ndodh që lajmet e vërteta t’i marrim vesh nga memet e faqeve popullore, teksa propaganda na servir “opiumin” nëpërmjet kronikave standarde e të sofistikuara me paisje të teknologjisë së fundit, montazhierëve, regjisorëve e producentëve të “armatosur” me infrastrukturë e “artileri” të rëndë manipulimi.

Vetë kryeministri ia ka njohur fuqinë paradoksale faqeve popullore, duke i bërë edhe më të famshme, i ka imituar dhe në tentativën me moton “Mbaj afër mikun, por më afër armikun” u ka shkelur sa e sa herë syrin. Disa u mikluan, disa notojnë në dyshime, të tjerë nuk duan t’ja dinë fare.

Nuk di cila nga qendrat e pushtetit është bezdisur kaq shumë sa të bllokojë me argumenta jo bindës Brryli Broadway, një ndër “sheshet” më të populluara të memeve, të opozitës “ndryshe” të politikës majtas, djathtas, në pushtet qendror a lokal, që nuk kursen asnjë fenomen, pushtetar, politikan, gazetar, person publik, që sipas adminëve të saj cënon interesin publik.

Mund të mos biem dakord me disa nga postimet, mund të jemi plotësisht dakord me të tjera, mund të na trembin, shkundin, hutojnë a frymëzojnë me statuse të tjerë tek Brryli Broadway, por kur mendon se si makineri të fuqishme propagande, që kanë qindfishin e të punësuarve në të zezë e të bardhë të një faqe memeje, tmerrohen prej tyre duke harxhuar energji, kohë, nerva dhe para për t’i mbyllur bëjnë një autogol mu në minutën e fundit, sekondën e fundit të shtesës të një ndeshjeje ku shumicën e stadiumit e kanë kundra, asnjë lojtar rezervë nuk hyn dot në në fushë dhe ku arbitrat kanë harxhuar çdo karton të mundshëm për të ndaluar kundërshtarin.

Asgjë e re nga fronti i shtypit të lirë, ai do rezistojë, si gjithmonë, herë si tv, herë si portal, herë si një faqe memeje dhe herë si individ i lirë. E vërteta është e vërtetë edhe kur askush nuk e beson, mashtrimi mbetet mashtrim edhe sikur të gjithë ta besojnë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.