Atentati ndaj Hamza Terziut, GJKKO lë në burg Ardit Gjokrosën
Gjykata e Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “Arrest në burg” për Ardit Gjokrosën, i cili u ekstradua dy ditë më parë nga Gjermania, pasi ishte shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të operacionit “Revanshi”.
Gjokrosa dyshohet se ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale për vrasjen e Hamza Terziut, ngjarje e ndodhur në vitin 2020. Sipas hetimeve të SPAK, ai dyshohet gjithashtu se ka qenë pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Tori Xheçuka.
Ai akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në bashkëpunim të veçantë në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Vendimi u mor më 30 tetor 2026, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme një ditë më parë, për verifikimin e kushteve dhe kritereve të zbatimit të masës së sigurisë të caktuar që në 15 maj 2024.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Erjon Çela, vendosi vazhdimin e zbatimit të masës “Arrest në burg” dhe urdhëroi dërgimin e menjëhershëm të Gjokrosës në institucionin e paraburgimit, ku do të qëndrojë në dispozicion të organit procedues.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit brenda pesë ditëve nga njoftimi i tij.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



