“Do më vrasin nëse më ktheni Shqipëri”
Autoritet në Prishtinë kanë marrë në pyetje “Bashkëpunëtorin X” të PD, Albert Veliun 24 orë pasi ai kërkoi azil në Kosovë. Një burim nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës që shqyrton kërkesat për azil i tregoi çfarë ka deklaruar Albert Veliu. “Kam frikë për jetën. Nëse me ktheni në Shqipëri do të më vrasin”. Ky ka qenë deklarimi Albert Veliut që përbën edhe bazën e kërkesës për azil. Së bashku me të birin ai është duke u mbajtur në qendrën e azil kërkuesve. Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në Policinë e Kosovës është duke shqyrtuar kërkesën për azil të Albert Veliut, nëse ajo është në përputhje me nenin 5 të ligjit “Për azilin në republikën e Kosovës ku thuhet se: “Republika e Kosovës mund t’ju japë mbrojtjen e përkohshme personave që duhen mbrojtur, për aq kohë sa ata i ekspozohen një rreziku të përgjithshëm të rëndë”. Ligji për azilin në Kosovë parashikon që aplikantit për azil, t’i jepet një përgjigje gjashtë muaj që nga dita e paraqitjes së kërkesës.
Bashkë me të birin
Paraditen e të Hënës, Veliu së bashku me të birin, u ndaluan gjatë një kontrolli normal në zonën e Shtimjes në afërsi të Prishtinës. Rezultoi se ata nuk e kishin kaluar kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës në mënyrë të rregullt. Hetimet paraprake të policisë së Kosovës kanë zbuluar se Albert Veliu dhe i biri nuk figuronin të riregjistruar në sistemin e kufirit si në atë të Kosovës dhe TIMS në Shqipëri. Kaq ka mjaftuar për policinë e cila ka njoftuar menjëherë prokurorin e gatshëm në Prokurorinë e Prishtinës e cila ka urdhëruar arrestimin e tyre. Ndaj tyre është ngritur akuza për kalim të jashtëligjshëm kufiri. Po ashtu prokurori i ngarkuar për këtë çështje e ka kërkuar arrestimin edhe për shkak të dyshimeve të tjera. Menjëherë pas arrestimit Veliu i ka deklaruar prokurorit të çështjes se kërkon azil politik./shqiptarja.com




