E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Avokatët e Djallit në Shqipëri, më në fund dolën hapur!
Publik News

Avokatët e Djallit në Shqipëri, më në fund dolën hapur!

Është kohë lufte – dhe jo një luftë dosido – por një ndër superfuqitë e mëdha ushtarake të planetit ka sulmuar një vend të madh dhe sovran, duke rikthyer ethet e një lufte botërore. Madje po kërcënon me luftë bërthamore, me bomba dhe raketa që shfarosin jetën e gjallë.
Ky kërcënim nuk vjen nga një vend demokratik, por nga një vend diktatorial, që drejtohet me dorë të hekurt nga një ish-oficer i KGB-së sovjetike prej 22 vitesh në pushtet.
Ambicia e tij është e thjeshtë – ose pranoni vendimet e mia – ose unë do të zhduk njerëzimin. Ky është lloji më iracional i kërcënimit, më brutali, dhe njëkohësisht, më i kobshmi që ka pasur ndonjëherë.

Edhe djalli mund të ishte më human në kërcënimin e tij.
Është e tepërt të shkruaj më gjatë për të shpjeguar të mirën dhe të keqen. Nëse ndokush ka akoma simpati për një djall si Vladimir Putin – le të shkojë në RS!
Këto ditë kam “zbuluar” disa personazhe tejet interesante, madje ndonjë edhe personazh publik, që mbështet hapur Vladimir Putin dhe luftën e tij.
Dikush kishte publikuar disa foto të disa grave ruse me uniformë ushtarake – yll të bukura – me qëllim që të ngjallë empati për ato zonja nën uniformë. Por dreqi e mori – ato vërtetë janë yje – po ç’lidhje ka me pushtimin e Ukrainës, vetëm ai/ajo që i kishte postuar e di.
Dikush tjetër debaton me çdokënd që shkruan ndonjë fjalë ose publikon diçka në mbështetje të Ukrainës, duke folur me të njëjtën gjuhë me

Russia Today, ose me fjalorin e Sergey Lavrov, duke fajësuar Amerikën dhe Europën, e madje edhe duke dënuar ose barazuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë me pushtimin rus të Ukrainës. Dhe nuk janë personazhe krejt të zakonshëm – por dalin edhe në media dhe shquhen si “shoqëri civile”.
Është disi e vështirë të gjendet një provë fajësuese se çfarë janë këta njerëz – por më e pakta ata janë kolona e pestë – të rekrutuar nga shërbimet ruse. Përndryshe, është e pamundur të gjendet një shpjegim i arsyeshëm për këta “avokatë të lirë”.

Ajo që dihet prej kohësh është se Rusia ka filluar një luftë të fortë dezinformuese në rrjete sociale rrotull botës. Do të ishte naive të mendosh se Shqipëria i ka shpëtuar kësaj lufte – tek e fundit edhe ne jemi pjesë e botës, madje e një pjese të rëndësishme të saj.
Dhe Avokatët e Djallit më në fund dolën hapur.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.